Botë

Ligji për gjuhët është botuar në Gazetën Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi

15.01.2019 11:18

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, mbrëmë ka firmosur Ligjin për gjuhët....

Ligji me firmën e Xhaferit është dërguar në Gazetën Zyrtare, e cila e ka botuar menjëherë duke mundësuar kështu hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij ligji.
 
Rreth shpalljes së Ligjit për Gjuhët në Gazetën Zyrtare, ka reaguar edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare, duke paralajmëruar se publikimi i ligjit në Gazetën Zyrtare, është vepër penale për të cilën mund të dënohesh me burg. 
 
“Paralajmërojmë drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovskin, se shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është vepër penale për të cilën shkohet në burg dhe të cilën e bartë drejtori i Gazetës Zyrtare dhe të gjithë të involvuarit e tjerë”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPNE-së lidhur me gjuhët zyrtare në Maqedoni. Nga kjo parti theksojnë se LSDM-ja “edhe njëherë ka dhunuar demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Republikën e Maqedonisë”. 
 
Ligji për Gjuhët u miratua në mars të vitit të kaluar, në situatë të tensionuar në Parlamentin Republikan. Pas votimit në lexim të dytë, me 69 vota “PËR”, presidenti Gjorgje Ivanov, nuk e dekretoi ligjin, me arsyetimin se ai  është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Rregulloren e Kuvendit. Sipas procedurës, Ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Pavarësisht kësaj, Ivanovi ka vazhduar të mos e nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në bazë të Kushtetutës, pas leximit të tretë, nënshkrimi nga ana e Presidentit , nuk është i nevojshëm. 
 
Të hënën, kryeparlamentari Talat Xhaferi, nënshkroi këtë ligj duke e cilësuar këtë akt si një fitore për të gjithë.