Ekonomi

Bekteshi: 53 milion denarë për mbështetje të kompanive

15.01.2019 16:34

Me 53 milion denarë do të mbështeten kompanitë vendore në kuadër të programit për konkurrueshmëri, inovacion dhe sipërmarrësi....

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se janë realizuar 99% të mjeteve të cilat ishin paraparë për vitin 2018 në lidhje me këtë program, kurse për këtë vit, sipas tij, mjetet për këtë program janë rritur dukshëm. Programi këtë vit është ndarë në katër pjesë, edhe atë në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, politikës industriale, të odave dhe klastereve, si dhe mbështetje të kompanive që ndërmarrin aktivitete sa i përket përgjegjësisë shoqërore. 
 
“Prej 10 milionëve të parapara në vitin 2017, këtë vit kemi arritur në një shumë rekorde që tejkalon 53 milion denarë dhe ato dedikohen drejtpërdrejt për ndërmarrjet vendore në vend dhe kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Sa i përket problemit me infrastrukturën në “Kodrën e Diellit”, Bekteshi theksoi se do të formohet një grup pune, i cili do të mundohet të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për ta vënë në funksion Qendrën Turistike në “Kodrën e Diellit”. 
 
“Disa herë kam pasur kontakte direkte me drejtorin e “Elem Tursit”, të cilit i bëhen të gjitha parapërgatitjet. Jemi për momentin në fazën ku jemi duke përgatitur “due diligence” për “Kodrën e Diellit” dhe jemi duke parë disa opsione dhe njëra ndër opsionet është që të shkojmë me partneritet publiko-privat”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Për një ekonomi të vogël, siç është ajo e Maqedonisë, sipas Bekteshit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare që i kërkon VMRO-DPMNE-ja nuk janë të mirëseardhura, pasi do të ketë ngecje në shpalljet e tenderëve dhe furnizimeve publike.
 
ERSAN PAJAZITI