Botë

Vdesin dy minatorë në Shqipëri

19.08.2014 17:05

Minierat vazhdojnë të marrin jetë njerëzish në Shqipëri. Dy punëtorë të cilët gërmonin për krom në minierën e Martaneshit në Burrel...

Minierat vazhdojnë të marrin jetë njerëzish në Shqipëri. Dy punëtorë të cilët gërmonin për krom në minierën e Martaneshit në Burrel, i ka zënë poshtë një masiv gurësh, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tyre.
 
Sipas Policisë, viktimat janë: Xhemal Seli, 53 vjeç, baba i 4 fëmijëve dhe Denald Barci, 30 vjeç, baba i një fëmije. Për ngjarjen tashmë është ngritur dhe një grup pune në Ministrinë e Ekonomisë, i cili po ndihmon në hetimin e aksidentit, si dhe zbardhjen e raport-inspektimeve të bëra më parë në galerinë ku ka ndodhur ngjarja.
 
Ministria e Energjetikës, bën me dije se ka pezulluar 160 leje minerare për shkelje, teksa shpjegon se në përfundim të hetimeve dhe nxjerrjes së shkaqeve për vdekjen e dy minatorëve në punë këtë të martë, do të rishikohet dhe leja e kompanisë “ALBA-CO”.
 
Për ngjarjen në Martanesh ka shprehur ngushëllimet e tij edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërsa u ka bërë apel autoriteteve qendrore, të marrin masa për të siguruar sigurinë e minatorëve në punë.
 
Aksidentet me vdekje të minatorëve gjatë punës ndodhin në mënyrë të vazhdueshme, gjë që ka ngritur dyshime mbi faktin se nëse i zbatojnë apo jo rregullat e punës kompanitë private.
 
LULJETA NDOKA