Botë

Votëbesimi për Qeverinë greke, opozita: debati është aktrim, Tsiprasi i ka votat

16.01.2019 17:19

Qeveria greke pritet të vihet në sprovë në mesnatë kur parlamenti t’i japë fund debatit maratonë të nisur dje me votëbesimin e kërkuar nga kryeministri grek, Alexis Tsipras...

Qeveria greke pritet të vihet në sprovë në mesnatë kur parlamenti t’i japë fund debatit maratonë të nisur dje me votëbesimin e  kërkuar nga kryeministri grek, Alexis Tsipras, pas daljes nga koalicioni i “Grekëve të pavarur”.
 
Me 145 deputetë në Parlamentin 300 vendësh, Tsipras ka ende mbështetjen edhe të 4 ligjvënësve nga partia e Kammenosit, një deputeti të pavarur dhe një deputeti të qendrës së majtë. Demokracia e Re dhe PASOK-u e quajnë farsë kërkesën për votëbesim, pasi Cipras, sipas tyre,  ka siguruar tashmë shumicën.
 
“Ajo që i intereson Tsiprasit nuk është ligjetimiteti i vërtetë demokratik e as sjellja e vërtetë në raport me shoqërinë, por vetëm qëndrimi i tij në pushtet edhe më tutje”,- tha Vangelos Vanizelos nga PASOK-u. 
 
“Nëse kalon marrëveshja e Prespës, asnjë qeveri dhe kryeministër tjetër nuk do të mund ta tërheqë. Është e lehtë të themi se Demokracia e Re do ta eliminojë me ligj, por kjo nuk është moralshme. Nëse Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në parlament,  atëherë siç qëndron edhe në marrëveshje, ajo do të na obligojë ne dhe assesi nuk na lejon të tërhiqemi”,- tha Constandinos Karamanlis nga Demokracia e Re. 
 
Ish ministri i jashtëm grek, Nikos Kocias, dha alarmin për rritjen e ndikimit turk në rajon dhe frikën se Greqia po rrethohet si me kthetra gaforreje nga Maqedonia dhe Shqipëria.
 
“A e dini se nga çfarë rrezikohet veriu i Greqisë? Rrezikohet nga shndërrimi i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe i Shqipërisë, në kthetrat e gaforres që përpiqet të na rrethojë nga lindja dhe nga veriu. Të mos lejojmë Turqinë më tej në këtë rajon.  Por, ju nuk jeni të interesuar për këtë? Doni që Turqia të ketë influencë më të madhe?”,- u shpreh ish-ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias.
 
Nëse kryeministri grek nuk arrin të fitojë mesnatën e sotme shumicën prej 151 votash, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. 
 
Por, edhe nëse merr votëbesimin, Tscipras duket se do të ketë vështirësi kur të sjellë Marrëveshjen e Prespës në Parlament për votim, pasi orët e fundit partia Potami, në shenjë hakmarrjeje për një deputet të sajin që mbështet qeverinë, mendon të mos e votojë marrëveshjen, duke ndryshuar kështu qëndrimin e muajve të fundit.
 
Ndërkohë, përveç disa qyteteve të vogla në Greqinë e veriut, edhe në qendër të Selanikut janë parë natën e kaluar shumë afishe me fytyrat e politikanëve të partive Syriza, Grekët e pavarur dhe Potami, në të cilat ata pyeten: Ti do ta tradhtosh Maqedoninë?
 
ZEKIRIJA MEXHITI