Maqedoni
Jashari takon ambasadoren franceze, Auer
19.08.2014 17:15
Propozim-ndryshimet kushtetuese, ndiqen me interes të shtuar edhe nga përfaqësuesit diplomatik në vend...

Më shumë transparencë, debat publik dhe respektim të normave dhe procedurave për miratimin e ndryshime kushtetuese, ka kërkuar edhe ambasadorja e Francës në Maqedoni, Laurenc Auer, gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Adnan Jasharin.
“Interesi i tyre ishte i orientuar në drejtim të propozimit të Qeverisë së RM-së për ndryshimet kushtetuese, procedurën e realizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe organizimin e debateve apo diskutimeve publike pas miratimit të projekt-amendamenteve në Kushtetutën e RM-së”- deklaroi ministri Drejtësisë, Adnan Jashari.
Por, jo vetëm ndryshimet kushtetuese janë në fokusin e ndërkombëtarëve. Reformat në gjyqësi dhe pavarësimi i Pushtetit Gjyqësor nga politika dhe grupet e biznesit, janë një shqetësim tjetër, për të cilin vendet anëtare të BE-së kërkojnë sqarim se çfarë po ndërmerr ekzekutivi në këtë drejtim. Ministri i Drejtësisë, sqaron nismat që ka ndërmarrë në këtë drejtim.
“Nga dita e parë, kemi formuar grupe pune për të reformuar pjesën normative, ligjore, me ç’rast hapi i parë ishte plotësimi i Ligjit për Gjykata, si një Ligj sistemor dhe do të kisha thënë thelbësor për rritjen e efikasitetit dhe transparencës së gjyqësorit. Këtu e kemi edhe Ligjin për Prokurori Publike, Ligjin për Këshillin Gjyqësor, Ligjin për Këshillin e Prokurorëve, Ligjin për Akademinë e Gjyqtarëve, respektivisht të prokurorëve. Dhe ajo që do të jetë risi në sistemin juridik të Maqedonisë, në drejtim të rritjes së efikasitetit dhe disiplinës gjyqësore, është përgatitja e një Ligji të ri, ai është Ligji për Përgjegjësi Disiplinore, respektivisht vërtetimin e fakteve për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”- theksoi më pas ministri Jashari.
Në drejtim të rritjes së efikasitetit dhe transparencës së gjyqësorit, Franca ka ofruar organizimin e seminareve dhe trajnimeve të ndryshme të gjykatësve dhe prokurorëve nga ekspertë francez, por edhe shkollimin e kuadrove nga Maqedonia në shkolla franceze me renome.
Memorandumi i bashkëpunimit në këtë fushë mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës së Francës, pritet të nënshkruhet së shpejti.
SHPËTIM NUREDINI
