Maqedoni

Nxënësit debatuan për bashkëjetesën

19.08.2014 17:34

Nxënës nga Maqedonia dhe Franca, do të këmbejnë përvoja pozitive në gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për veprat e kryera penale nga urrejtja...

Nxënës nga Maqedonia dhe Franca, do të këmbejnë përvoja pozitive në gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për veprat e kryera penale nga urrejtja, që kanë të bëjnë me përkatësinë etnike dhe fetare.
 
Përvojën në fjalë, 20 nxënës do ta këmbejnë përmes “Shkollës për të rinj”, organizuar nga Komiteti i Helsinkit dhe Instituti për Paqe dhe të Drejta të Njeriut nga Franca. Urrejtja ndëretnike dhe ndërfetare ekziston në Maqedoni dhe duhet gjetur mënyrë për tejkalimin e situatës, vlerësojnë disa nga pjesëmarrësit në këtë shkollë.        
                                    
“Mendoj se ekziston kjo urrejtje dhe shpresoj dhe mendoj se me të vërtetë mund të përmirësohet situata si me rininë që jemi ne. Kjo shkollë është e veçantë pikërisht për këtë qëllim, që të flasim bashkë, t’i tregojmë mendimet tona dhe askush mos të këtë frikë të thotë mendimin e tij dhe eksperiencën. Mund të tejkalohet vetëm me dialog, me shoqërim, me evente si kjo, ku njerëzit do të jenë bash dhe do të fillojnë të punojnë bashkë”- deklaroi nxënësja, Arijana Ajdar.
 
“Unë mendoj se urrejtja është në plan etnik dhe religjioz, por para së gjithash në plan etnik, pasi që ekziston një mosdurim i pazgjidhur mes grupeve të caktuara. Nuk flas për të gjithë, por për ata që nuk dinë të vlerësojnë pasurinë që mund të fitojnë nga etniteti tjetër. Ata, më së shpeshti shprehjen e urrejtjes e tregojnë përmes internetit, por edhe përmes shkrimit të parullave në mure dhe shkaktimit të grindjeve verbale dhe fizike”- theksoi nxënësi, Aleksandar Solev.
 
Kjo shkollë është e 34-ta me radhë në kuadër të Komitetit të Helsinkit.
 
“Këtë vit, kemi risi dhe vendosëm të punojmë në problemet më të thelluara, që nuk do të thotë se problemet bazë janë tejkaluar, pasi që shohim se në Maqedoni kemi problem me të drejtat themelore të njeriut, si demokracinë dhe sundimin e së drejtës”- potencoi kryetari i Komitetit të Helsinkit, Gordan Kallajxhiev.
 
“Maqedonia është Shtet i ri dhe nuk ka histori, gjegjësisht nuk është shumë kohë e pavarur dhe nuk kishte kohë të ndërtojë një ideal për qytetërim dhe jetë të përbashkët, të cilën do ta kuptojmë me kalimin e kohës  dhe akoma nuk është zhvilluar dëshira për jetesë kolektive”- tha ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer.
 
Të rinjtë, pjesëmarrës në shkollën e lartpërmendur janë të mendimit se duhet të formohen grupe nga të gjitha nacionalitetet dhe religjionet, që të realizohen aktivitete të ndryshme në tejkalimin e situatës.
 
FLORIJE KAMBERI