Botë

Brexit, kryeministrja May i mbijetoi mocionit të mosbesimit

17.01.2019 10:54

Kryeministrja, Theresa May, i ka mbijetuar mocionit të mosbesimit në Parlamentin britanik, duke marrë 325 vota në favor të saj dhe 306 që kërkuan rrëzimin e qeverisë....

Në një deklaratë në “Downing Street” të orëve të vona të së mërkurës, kryeministrja tha se ka filluar konsultimet me udhëheqësit politikë parlamentarë, por kreu i opozitës nuk ka pranuar të bisedojë, duke vënë kusht që kryeministrja të përjashtojë mundësinë e një daljeje nga BE-ja pa marrëveshje.
 
Votimi i një dite më parë ishte thjesht një ndalesë në garën e saj për ta çuar deri në fund “Brexit”-in, pavarësisht nga forma e arritjes së saj. Mocioni për mosbesim erdhi një ditë pasi Parlamenti rrëzoi marrëveshjen e Brexit të propozuar nga kryeministrja May. Pjesa më e vështirë për nxjerrjen e Britanisë nga labirinthi i “Brexit”-it sapo ka filluar, kur kanë mbetur vetëm 72 ditë nga data e fiksuar për ndarjen  përfundimtare të Britanisë nga Bashkimi Europian. Europianët janë të palëvizshëm nga pakti i arritur. Megjithatë Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ka ende kohë për negociata të tjera.