Maqedoni
“Listeria”, e pranishme edhe te mishi i pulës
19.08.2014 17:45
“Bëni kujdes nga mishi i pulës”, janë këto alarmet e sotme të autoriteteve shëndetësore drejtuar qytetarëve të Maqedonisë...

Bakteri “Listeria”, është gjetur edhe në mishin e pulës të kompanisë “Ekstra Mein”. Në Ministrinë e Shëndetësisë, theksuan se praninë e këtij bakteri vdekjeprurës te mishi i pulës e kanë dëshmuar rezultatet nga mostrat e marra nga fabrika e “Ekstra mein”.
“Nga analizat e kryera për bakterin “Listeria”, është vërtetuar se edhe në mishin e pulës është gjetur bakteri vdekjeprurës, “Listeria”. Duhet të bëni kujdes nga produktet e kompaninë “Ekstra mein”. Është vërtetuar se burimi i sëmundjes është mishi i qafës së derrit të vakumuar nga kompania “Extra mein”. Në këtë produkt, autoritet kompetente kanë gjetur 90 herë më shumë prani të bakterit “Listeria” nga niveli i lejuar”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Autoritetet shëndetësore paralajmëruan se do të tërhiqen nga tregu të gjitha produktet që përmbajnë mish të pulës nga kjo kompani.
Nga ana tjetër, i njëjtë është edhe burimi i sëmundjes te të gjithë 10 personat e prekur nga “Listeria”, 5 nga të cilët vdiqën, ka treguar gjenotipizimi i realizuar nga institucionet kompetente të akredituara.
Nga Klinika Infektive, njoftuan se gjendja e vajzës 16 vjeçare e prekur nga “Listeria”, është e qëndrueshme.
FARIJE DAUTI-BAKIU
