Ekonomi

Marrëdhëniet Maqedoni – Bullgari, fqinjësia e mirë jep rezultate në ekonomi. Donçev: hapi i radhës, kufijtë e përbashkët

17.01.2019 16:30

Stabilizimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe ndërtimi i fqinjësisë së mirë jep rezultate pozitive në ekonomi...

Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve vitin e kaluar u rrit për 16.9% në krahasim me vitin paraprak.
 
Zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, tha se për të rritur edhe më shumë shkëmbimin tregtar, është i nevojshëm përmirësimi i infrastrukturës.
 
Lidhja hekurudhore është një nga prioritetet kryesore të qeverisë. 
 
“Për pjesën e dytë nga fshati Belakoc deri në Kriva Pallankë, me vlerë të parashikuar prej 142 milion euro veç më ka mbarur procesi i tenderimit, në vijim është përzgjedhja e kontraktuesit dhe ajo do të fillojë të ndërtohet. Pjesa e tretë e cila është më e vështirë, për shkak se gjendet në rajonin malor, edhe pse është e shkurtë nga Kriva Pallanka deri në kalimin kufitar Gjureshevë, me vlerë prej 35 milion deri më 40 milion euro, veç më është projektuar dhe është rënë dakord të sigurohen mjetet financiare”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
Nënkryetari i Këshillit të ministrave të Bullgarisë, Tomisllav Donçev, tha se marrëveshja për fqinjësi të mirë është vetëm fillimi dhe se të dy vendet duhet të jenë më ambiciozë.
 
Hapi i radhës, sipas tij, duhet të jetë kontrolli i përbashkët kufitar, i cili do ta bëjë më të lehtë lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve. 
 
“Propozimi konkret, i cili veç më është diskutuar, është kontrolli kufitar. Kemi përvojë, është e lejueshme sipas legjislacionit evropian, por kjo është pyetje e organizimit. Nuk do të jetë vështirë që ajo të formohet, por deri në pranimin në BE, ajo do ta lehtësojë gjithë trafikun dhe lëvizjen e njerëzve”,- tha nënkryetari i këshillit të ministrave të Bullgarisë, Tomisllav Donçev.
 
Në maj do të formohet komision ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë për intensifikimin e bashkëpunimit. Aktualisht në Shkup po mbahet forumi ekonomik Maqedoni – Bullgari, në të cilin marrin pjesë më shumë se 50 kompani. 
 
ERSAN PAJAZITI