Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale, LSDM-BDI vazhdojnë analizat për kandidatin konsensual
17.01.2019 16:44
Përderisa në VMRO-në opozitare po paraqiten kandidatë për zgjedhjet presidenciale....

Përderisa në VMRO-në opozitare po paraqiten kandidatë për zgjedhjet presidenciale, koalicioni qeveritar LSDM - BDI vazhdon konsultimet se si do të garojnë në zgjedhje. Nga partia e Ahmetit thonë se tashmë ka marrëveshje me partnerin e koalicionit, por LSDM pohon se ende diskuton brenda radhëve të saj.
“Në parti nuk kemi hapur çështjen e kandidatëve të mundshëm, se a do të jetë kandidat konsensual, por gjithsesi të gjitha opsionet janë të hapura për bisedime dhe do të zgjedhim mënyrën më adekuate që të bashkojmë qytetarët rreth kandidatit i cili do të jetë kandidat i LSDM-së”,- tha Frosina Remenski nga LSDM.
“Kemi marrëveshje për kandidat konsensual me LSDM-në, qëllimisht nuk kemi diskutuar, nuk e kemi hapur këtë temë derisa përfunduan ndryshimet kushtetuese meqë nuk donim që ta defokusojmë temën kryesore, për shkak se procesi ishte i komplikuar, i vështirë dhe nuk donim që të bisedojmë për tema tjera. Por, ditëve në vijim do të bisedohet për profilin dhe për kandidatin e mundshëm të dy partive politike”,- theksoi Bujar Osmani nga BDI.
Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale pritet të mbahet më 21 prill. Nga OSBE dalin me rekomandime për një proces të suksesshëm zgjedhor.
“Nevojitet regjistrim i popullsisë, një regjistër i mirë zgjedhor para se të kalojmë në sistemin zgjedhor”,- u shpreh Raul Muresan nga OSBE-ODIHR.
Ndërkohë BE proklamon idenë për votim nëpërmjet internetit dhe verifikim biometrik të votuesve. Por, kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski, tha se zgjedhjet do të realizohen sikurse proceset paraprake dhe votimi elektronik do të presë cikle të tjera zgjedhore, pasi për këtë nevojitet para, edukim, por edhe sistem i fuqishëm informatik.
“Këto teknologji të reja nuk mund që të aplikohen në zgjedhjet e ardhshme, por jemi të vetëdijshëm se do të duhet të bëjmë këtë, pasi akoma më shumë teknologjitë e reja po përdoren në zgjedhje. Konsideroj se as ne nuk duhet të jemi jashtë kësaj fushe”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Votimi elektronik ishte temë e debatit të sotëm me temë “Zbatimi i teknologjive të reja në proceset zgjedhore”. Edhe pse votimi me internet realizohet në më shumë vende të botës, Franca, Holanda dhe Norvegjia kanë rikthyer votimin në letër.
MERAL ISMAILI
