Botë
Putin në Beograd, rikonfirmohet partneriteti mes Rusisë dhe Serbisë
17.01.2019 19:10
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë kanë rrënjë të thella, pasi ato janë ndërtuar ndër vite, deklaroi presidenti rus, Vlladimir Putin...

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë kanë rrënjë të thella, pasi ato janë ndërtuar ndër vite, deklaroi presidenti rus, Vlladimir Putin, në press konferencën e përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Beograd.
“Kur jemi së bashku serbët dhe rusët na presin fitoret”,- tha Putin, i cili duke shprehur mbështetje të politikës serbe për Kosovën tha se atje po shkelet e drejta ndërkombëtare, duke mos u respektuar rezoluta 12-44.
Ai tha se Rusia e ndjek me vëmendje atë që po ndodh në rajon dhe me partneret e saj angazhohet për një zgjidhje të drejtë për Kosovën.
“Rusia vazhdimisht ka marrë pjesë aktive në zgjidhjen e çështjeve të tilla. Sa i përket rolit ndërmjetësuesit, ne e dimë se BE-ja po ndërmjetëson në zgjidhjen e disa çështjeve, por fatkeqësisht nuk po realizohet sa duhet. Të themi formimi i bashkësisë së komunave serbe është dashur të jetë realizuar por nuk është formuar asgjë. Sipas rezolutës 12/44, në atë rezolutë përmendet mundësia e pranisë së policëve serbë dhe policisë kufitare në territorin e Kosovës, por kjo nuk po ndodh. Duhet më shumë të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe vetëm në këtë rast mund të përpiqemi për zgjidhje të drejtë”,- theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Bisedimet për një marrëveshje me Kosovën janë zhvilluar derisa nuk është vendosur taksa për mallrat serbe, sipas presidentit serb, që janë dëshmi se shqiptarët nuk duan kompromis.
Sa u përket kritikave të perëndimit për afrimin e Serbisë me Rusinë, Vuçiç tha se Serbia është shtet i pavarur dhe vendos vetë për rrugën e saj.
“Serbia sjell vendime sipas vullnetit të qytetarëve të saj, nuk sjell vendime sipas vullnetit të cilësdo qoftë qeverie. Ne e respektojmë Britaninë, ne jemi të vegjël, ajo është e madhe, por as britanikët e as të tjerët nuk do të na mësojnë se çfarë politike do të zhvillojmë”,- deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Rusia gjithmonë mund të llogarisë se e ka një aleat në Serbi, i tha Vuçiç presidentit rus, Putin.
Me këtë rast janë nënshkruar edhe disa marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, vlera e të cilave, siç u tha, arrin në 230 milion euro, ndërsa pas realizimit do të arrijë në 660 milion euro.
Kjo vizitë e Putinit nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, është parë si një vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësi në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Para vizitës në Beograd, Putin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke destabilizuar Ballkanin, duke treguar “rol dominues” në këtë rajon.
Ndërsa Moska zyrtare ka dalë edhe kundër Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese për emrin e Maqedonisë, e cila i hapë rrugë vendit për integrim në NATO, zgjerimi i së cilës kundërshtohet nga Rusia.
NAIM SINANI
