Botë

Hahn në Prishtinë për taksën, Haradinaj: pa marrëveshje finale, taksa mbetet

17.01.2019 19:57

Eurokomisioneri Hahn qëndroi sot për vizitë në Kosovë, në kohën kur Qeveria e Prishtinës nuk është tërhequr nga vendimi për taksën prej 100 %...

Eurokomisioneri Hahn qëndroi sot për vizitë në Kosovë, në kohën kur Qeveria e Prishtinës nuk është tërhequr nga vendimi për taksën prej 100 % mbi produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
 
Serbia, e cila para vendosjes së kësaj takse eksportonte mallra në Kosovë në vlerë mbi 1 milion euro në ditë, ka kërkuar heqjen e taksës, si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.
 
Kërkesë të njëjtë për heqjen e taksës kanë pasur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë kreu i ekzekutivit Haradinaj, pak para vizitës së Hahn, ka bërë me dije se pa një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, që rezultat do të kishte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, taksa nuk do të hiqet.
 
“Kosova ka arritje në agjendën europiane. Kemi një agjendë dhe ju e dini që MSA-në e kemi kthyer në ERA. ERA1 është zbatuar, ERA2 ka filluar. Komisioneri është palë për Kosovën në këtë agjendë. Njëkohësisht, Kosova ka një agjendë me BE-në për liberalizimin e vizave, teksa ne kemi përmbushur të gjitha kushtet. Tani ka lindur edhe një temë e re, që është taksa. Taksa lidhet me njohjen nga Serbia, jo me këto dy të parat. Ndaj mirëpresim çdo sugjerim, çdo këshillë, edhe mundësinë për të biseduar me komisionerin Hahn”,- tha Haradinaj.