KOSOVË

Kushtetuesja nesër vendos për kërkesën e PDK-së

20.08.2014 16:14

Nesër, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës do të shqyrtohet kushtetutshmëria për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit në seancën e 17 korrikut.....

Nesër, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës do të shqyrtohet kushtetutshmëria për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit në seancën e 17 korrikut.

Një shqyrtim të tillë, Gjykata Kushtetuese do ta realizojë në bazë të kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkohë që partitë politike po bëjnë përgatitjet për përballjen e tyre në seancën dëgjimore, ku pritet të marrin pjesë parashtruesi i kërkesës, si dhe përfaqësuesit dhe zyrtarë të 14 subjekteve të tjera politike.

PDK, në zgjedhjet e tetë qershorit fitoi 37 deputetë, prej ku vlerësojnë se janë grupi më i madh parlamentar dhe kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e Kuvendit, ndërkaq Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe siguruan grup prej 47 deputetëve.

Fisnik Korenica nga grupi për studime juridike dhe politike, për “Zërin e Amerikës” thotë se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidh ngërçin politik, por mund t’i hapë rrugë zgjidhjes së tij varësisht nga interpretimi që do t’i bëjnë nocionit grupi parlamentar.

“Nëse Gjykata Kushtetuese këtë interpretim të grupit parlamentar e lidh me një reflektim të partive politike në Kuvend dhe jo me vullnetin e lirë të deputetëve, atëherë një gjë e tillë do ta bëjë thellësisht bllokimin jo vetëm të Kuvendit, por edhe të konstituimit të institucioneve, situatë që nuk do të mund të tejkalohet pa pasur zgjedhje të reja në Kosovë”- deklaroi Fisnik Korenica nga grupi për studime juridike dhe politike.

Më 23 korrik, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur masën e përkohshme për pezullimin e zgjedhjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, në postin e kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e të cilit kishte ndodhur pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës. (Florije Kamberi, TVM2)