Nga Janari tregu i energjisë elektrike do jetë i lirë
Nga një janari i vitit të ardhshëm, tregu i energjisë elektrike do të jetë i lirë për pjesëmarrjen e më shumë kompanive, përkatësisht në Maqedoni do të vijnë edhe 9 kompani tjera energjetike....

Kjo nënkupton se rreth 700 mijë subjekte familjare dhe afariste, do të mund të vendosin se nga cila kompani do të furnizohen me energji elektrike.
Deri më 15 nëntor, qytetarët do të duhet të vendosin nga cilat kompani do të blejnë energji elektrike, pasi me hyrjen e 9 kompanive tjera, pritet të ketë edhe paketa dhe stimuj në përpjekje për të tërhequr shfrytëzuesit.
Ata që nuk arrijnë të ndryshojnë furnizuesin e tyre, do të mbeten në rrjetin e EVN-së, por të gjithë duhet të nënshkruajnë kontrata të reja. Ndryshimi i kontratave do mund të bëhet çdo vit.
Tregu i lirë do të thotë çmime më te lira, pasi pas 1 janarit rregullatori nuk do t’i përcaktojë çmimet. Por, qytetarët e anketuar sot, thonë se nuk janë edhe aq të njoftuar me këtë risi në tregun energjetik, ndërsa disa nga ata thonë se do të shfrytëzojnë mundësinë për të kërkuar furnizues më të lirë, e disa deklarojnë se do të mbeten klient të kompanisë aktuale.
“Jo nuk jam dakord që ta ndryshoj kompaninë. Si të ofrojnë tarifa më të lira normal që do ishte më e mira për gjithë njerëzit që të ndryshohet”- u shpreh një qytetare.
“Nuk kemi informacione, nuk di, nuk i përcjell, megjithëse janë ndoshta në interesin tonë, por për fat të keq nuk i përcjellim. Me eksperiencë me punu, nëse kemi diçka prej asaj te fqinjët apo dikush që është para neve, atëherë do të shohim ta bëjmë edhe ne qashtu”- theksoi një qytetarë.
“Varet çka ofron kompania”- tha një qytetarë.
Liberalizimi do të ndikojë në kontrollin më të rreptë të cilësisë së rrymës, pasi nuk do të tolerohet tensioni i ulët apo i lartë, apo ndërprerjet e shpeshta në furnizimin me energji elektrike.
“Në qoftë se cilësia e energjisë elektrike nga furnizuesi është më poshtë se ai standard, atëherë konsumatori ka të drejtë për kompensim për dëmet e shkaktuara në instalimet e tij elektrike”, kanë bërë të ditur nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.
Risi tjetër është edhe shkyçja në rast të mospagesës së faturave, e cila do të jetë automatike dhe vetëm për një familje, me çka do të shmangen shkyçjet kolektive në një lagje ose vendbanim ku shumica nuk paguajnë energji elektrike edhe pse një përqindje e qytetarëve kanë bërë pagesën rregullisht. (Gyltene Sinani, TVM2)
