Maqedoni
Këshilli për bashkëpunim rajonal, Bregu: ndryshimi i emrit, lajm i mirë. Osmani: inkurajojmë fqinjët të zgjidhin kontestet
21.01.2019 18:31
Maqedoni po shndërrohet në një shembull suksesi për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët...

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese, si pjesë e Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, u përshëndet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.
Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, konsideron se ky është një shembull i mirë për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe dhe parakusht për integrimin rajonal dhe më pas integrimin në BE.
“Ky është lajmi i fundit i cili ka kënaqur të gjithë mbështetësit e rrugës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë rajonit në BE, lajmi i mirë i ndryshimeve kushtetuese për çështjen e emrit të Maqedonisë në Parlament. Shpresoj shumë që brenda këtyre ditëve tashmë të përfundojë procesi edhe në Parlamentin grek si garanci e mirë, sepse tash më kemi një shembull shumë të mirë, apo një rast pozitiv për të treguar se si anëtarësimi në strukturat euroatlantike është një garanci më shumë për të gjithë rajonin për të vazhduar drejt rrugëtimit të evropianizimit dhe të anëtarësimit në BE”,- tha sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu.
Maqedonia do të jetë anëtare aktive në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, posaçërisht në inkurajimin e vendeve për të mbyllur çështjet e hapura dypalëshe, duke shërbyer vetë si model, tha zëvendëskryeministri për çështje europiane.
“Kujtoj se nuk ka vend më të mirë për të vizituar në këtë moment, në kontekst të bashkëpunimit rajonal, sesa Maqedonia, e cila është shndërruar në një eksportues të modeleve europiane të zgjidhjes së kontesteve ballkanike. Maqedonia është në ditët e saj të përfundimit të kontestit të fundit ndërfqinjësor dhe po bëhet vendi i vetëm në rajon i cili nuk ka asnjë çështje të hapur bilaterale me fqinjët dhe me këtë po bëhet shembull edhe për vendet tjera të rajonit për t’i nxitur se si t’i mbyllin këto tema historike dhe dallime ndërfqinjësore, por këto janë parakushte të rëndësishme të një integrimi më të mirë rajonal”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është një nismë “siu generis” dhe ka për qëllim bashkëpunimin rajonal në katër shtylla, atë të tregtisë, investimeve, mobilitetit dhe agjendën digjitale.
Në kuadër të turit të saj rajonal, paraprakisht, sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ka qëndruar në Sarajevë dhe Prishtinë, ku ka hapur raundin e dytë të bisedimeve për njohjen reciproke të titujve dhe diplomave në fushën e mjekësisë, arkitekturës dhe inxhinierisë.
SHPËTIM NUREDINI
