Gazë, vazhduan armiqësitë, 11 palestinezë të vrarë
Vazhdon të shkelet marrëveshja për armëpushim nga ana e Izraelit. Sulmet izraelite ndaj Gazës, kanë rifilluar sërish......

Së paku 11 persona raportohet të jenë vrarë nga sulmet në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë edhe gruan dhe një fëmijë të komandantit ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif. Armëpushimi u thye edhe kësaj radhe nga Izraeli, pasi kryeministri i vendit, Benjamin Netanjahu, dha urdhër të sulmohet në enklavën e bllokuar bregdetare.
"Siç mund ta shikoni, këtu ka një shkatërrim total dhe të tmerrshëm. Duket sikur tërmeti ka goditur të gjithë zonën pa lënë shenja jete, me dëme kudo. Të gjithë personat e vrarë dhe të plagosur janë civil, fëmijë, gra dhe pleq. Njerëz të dërmuar dhe poshtëruar, pa asnjë pikë faji"- u shpreh Raafat Madi.
"Ne ishim duke fjetur në shtëpi me fëmijët. Ata bombarduan pa paralajmërim dhe unë jam plagosur së bashkë me fëmijët dhe familjen time” - tha Mohammed Abu Reyash.
Më tepër se 2 mijë palestinezë janë vrarë, prej kur ka filluar ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës, më 8 korrik. Përveç të vrarëve, më shumë se 50 njerëz u plagosën në të gjitha sulmet ajrore në Rripin e Gazas. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
