Thaçi: Me marrëveshjen finale, Lugina e Preshevës dhe Veriu në kufijtë e Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se synim i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë....

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se synim i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të ishte ligjërisht e obligueshme në rrafshin ndërkombëtar.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë do t’i siguronte Kosovës ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do t’i hapte perspektivën në integrimet euro-atlantike. Ai tha se është i vetëdijshëm për vështirësitë që janë në procesin e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, por, siç u shpreh, beson në fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
“Mbetet që në javët dhe muajt e ardhshëm të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar, që garanton pranimin e Kosovës në OKB, njohje nga Serbia dhe me këtë nënkuptohet edhe njohja globale për shtetin e Kosovës, që do të thotë konsolidim i plotë i shtetit tonë”, tha Thaçi.
“Kjo nënkupton po ashtu që nuk do të ketë kurrë më luftë në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të ketë kufij sipas standardeve evropiane", theksoi ai.
Thaçi përsëriti se në kuadër të marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, edhe komunat në Luginën e Preshevës do të bëhen pjesë e Kosovës.
"Edhe Ujmani, edhe veriu i Mitrovicës dhe Trepça do të jenë pjesë të Republikës së Kosovës dhe përfundimisht duhet të ndalen dhe dua t'i hedh poshtë të gjitha thashethemet", tha Thaçi.
