Botë

Dialogu Kosovë - Serbi, dokumenti i Kosovës me 9 faqe dhe 9 pika

22.01.2019 13:05

Nga katër raunde të takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë...

Nga katër raunde të takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë 9 çështje specifike, të cilat janë diskutuar me palën serbe dhe ndërmjetësuesen e dialogut, Federica Mogherini.
 
Presidenti, Hashim Thaçi, ka ofruar tashmë për Delegacionin shtetëror në dialog me Serbinë, një dokument informues prej nëntë faqesh. Gjithsesi, dje presidenti Thaçi sqaroi se synim i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të ishte ligjërisht e obligueshme në rrafshin ndërkombëtar. Sipas tij, një marrëveshje e tillë do t’i siguronte Kosovës ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do t’i hapte perspektivën në integrimet euro-atlantike.
 
Thaçi përsëriti se në kuadër të marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, edhe komunat në Luginën e Preshevës do të bëhen pjesë e Kosovës. Por, në asnjë rresht të këtij dokumenti informues, një kopje të të cilit e kanë siguruar mediat e Kosovës, nuk përmendet korrigjimi i kufijve. Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit përmendet vetëm në kontekst të reciprocitetit me serbët e Kosovës. 
 
Pas takimit me Thaçin, kryenegociatorët, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, thanë se morën pak dokumente dhe sipas tyre, gjithçka do të nisë nga zeroja. Nëpërmjet dokumentit, Zyra e presidentit konfirmon zyrtarisht se deri më tani, BE-ja dhe dy shtetet e përfshira në këtë proces nuk kanë prodhuar asnjë dokument të shkruar zyrtar, i cili do të mund të konsiderohej si një draft fillestar për marrëveshje. Kësisoj, të gjitha çështjet e diskutuara deri më tani janë ende të hapura.
 
GAZMEND KURTISHI