Botë

Pakt i ri Francë - Gjermani, traktati i hap rrugën reformave në BE

22.01.2019 13:43

Në 57 vjetorin e nënshkrimit të “Traktatit të Elizesë”, Franca dhe Gjermania nënshkruan një tjetër pakt....

Një pakt i ri Francë - Gjermani, gjesti më i fundit i miqësisë së ngushtë mes dy vendeve, synon të thellojë bashkëpunimin mes tyre, por edhe të shtrojë rrugën për reforma në Bashkimin Europian.
 
Ndërsa shënuan në qytetin gjerman të Ahenit 56-vjetorin e Traktatit të Elizesë, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja, Angela Merkel, përgatitën të firmosin traktatin e ri të miqësisë që duhet t’i çojë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel tjetër dhe të përmirësojë jetët e qytetarëve në të dy vendet. Kjo ide në fakt nuk është një risi. Parisi ka këmbëngulur rregullisht për rinovimin e paktit që kur ai u nënshkrua dekada më parë, duke e kërkuar këtë pavarësisht faktit që në rrjedhën e viteve janë shtuar një sërë amendamentesh. Traktati fillestar daton në vitet ‘60, vetëm 18 vjet pas Luftës së Dytë Botërore.
 
22 janarin e vitit 1963, dokumenti historik mori firmat e presidentit francez, Charles de Gaulle, dhe kancelarit gjerman, Konrad Adenauer, duke vulosur kështu pajtimin e dy armiqve të mëdhenj. Thelbi i tij nuk do të ndryshojë as tani, por do të ketë shtesa e përmirësime që synojnë përçimin e një mesazhi politik, avancimin e bashkëpunimit franko-gjerman dhe përgatitjen e terrenit për reformimin e BE-së. Ky partneritet i intensifikuar shihet si sfidë ndaj rritjes së populizmit dhe nacionalizmit në Europë.