Ligji i gjuhëve, në Komisionin e Venedikut, Zaev: Do të pranojmë çdo udhëzim
Qeveria dërgoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve për mendim deri te Komisioni i Venedikut....

Qeveria dërgoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve për mendim deri te Komisioni i Venedikut, bashkë me tekstin alternativ të nenit 8, i cili nuk është pjesë përbërëse e Ligjit, njofton “TVM2”.
Përkatësisht, bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe në monedha dhe bankënota, në letrat me vlerë, në pullat postare, fletëpagesa, banderola etj., si dhe për përdorimin e shqipes në uniformat e policisë, mbrojtjes, zjarrfikësve dhe shëndetësisë, në Shkup dhe në komunat ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhën shqipe.
Kërkohet që Komisioni të japë vlerësim nëse Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe alternativa e nenit 8 e këtij Ligji janë në harmoni me kuadrin kushtetues, me standardet europiane dhe me parimin e sundimit të së drejtës.
“Çdo udhëzim do të pranohet dhe do të mënjanojmë të gjitha rezervat te çdo qytetar. Edhe një herë rikujtoj se kjo është një e drejtë e fituar e cila deri tani ishte një e drejtë e ndaluar. Mos frikohemi sepse bëhet fjalë për gjuhë dhe përdorimin e gjuhëve. Do të kuptohemi më mirë. Kjo është një e drejtë kushtetuese e një pjesë të bashkëqytetarëve tanë nga bashkësitë më të vogla dhe do të shihni se ajo, absolutisht, nuk cenon asnjë të drejtë të askujt”,- thA kryeministri, Zoran Zaev.
AHMETI: VETËM PJESËT PËR TË CILAT JEMI MARRË VESH
“Është dërguar pjesa e marrë vesh. Janë dy çështje për të cilat ne jemi dakorduar, bankënotat, letrat me vlerë dhe emblemat e ushtrisë. Përndryshe, unë nuk e di pse politizohet dhe bëhet temë mediatike kur e dimë se ai ligj është votuar dhe dakorduar me partnerët e koalicionit dhe është sjellë me shumicën e nevojshme të votave. Duhet ditur se për t’u abroguar apo anuluar një ligj i tillë duhet shumicë me badenter”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në letrën që i është dërguar kryetarit të Komisionit të Venedikut, Xhani Bukiçio, theksohet se mendimet e Komisionit të Venedikut për legjislacionin në vend paraqesin mbështetje të rëndësishme për reformat në sistemin juridik dhe vendosjen e standardeve më të larta evropiane.
Në letër shtohet se Ligji për përdorimin e gjuhëve del nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila është e zbatuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq dispozitat ligjore nuk duhet ta cenojnë as kushtetutshmërinë as standardet evropiane. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
