Botë

Samiti në Davos, pa pesëshen e Këshillit të Sigurisë së KB-ve. Forumi Ekonomik Botëror, Maqedonia me tre përfaqësues në Davos

22.01.2019 17:00

Davosi çdo vit mbledh në një vend liderët më të fuqishëm botërorë, por këtë vit pjesëmarrjen e kanë anuluar liderët...

Davosi çdo vit mbledh në një vend liderët më të fuqishëm botërorë, por këtë vit pjesëmarrjen e kanë anuluar liderët e pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
 
Presidenti amerikan, Donald Trump, anuloi pjesëmarrjen për shkak të mosarritjes së pajtimit brenda kongresit për ndërtimin e një muri me Meksikën, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka probleme që nuk po i kontrollon dot me të ashtuquajturit “jelek verdhët”, që nuk i ndalin protestat.
 
Në Davos nuk do të shkojnë as presidentët e Rusisë dhe Kinës. Megjithatë, 3,200 pjesëmarrës do të ulen për të diskutuar rreth çështjeve të rëndësishme ekonomike në takimin e njerëzve që krijojnë politikën dhe ekonominë botërore.
 
Do të ketë përfaqësues të tjerë të lartë të politikës që do t’i bashkëngjiten liderëve të biznesit,  përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministrin japonez, Shinza Abe, dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. Sigurisht do të diskutohet edhe për rritjen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, uljen e vlerësimit të rritjes globale, rritjen e pesimizmit dhe pasigurisë.
 
“Ka një gradë të shtuar të pasigurisë që nuk e kemi parë më parë. Njerëzit ndjehen të pasigurt, ata nuk besojnë në botën e së nesërmes, nuk besojnë se do të jetë më e mirë se e sotmja. Ata e ndjejnë se momentalisht mund të kenë punë, por nuk janë të sigurtë nëse e njëjta punë do të ekzistojë pas ca kohësh”,- tha themeluesi dhe kryetar ekzekutiv i forumit ekonomik botëror, Klaus Schwab.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, dhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, do të jenë mes pjesëmarrësve në samit.
 
Nga qeveria thonë se takimet e tyre do të fokusohen në realizimin e kontakteve dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik me vendet e zhvilluara.
 
Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, Zaev do të takohet me sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, me eurokomisarin, Johanes Han, dhe me përfaqësues të tjerë të lartë, thonë nga Qeveria. Për kryeministrin Zaev, Davosi është pikënisja e zgjidhjes së kontestit me Greqinë, që rezultoi me Marrëveshjen e Prespës.
 
FLUTURA LATIFI