Gjykimet “Titanik” dhe “Titanik 3”, prezantohen provat materiale

22.01.2019 18:00

Në Gjykatën Penale kanë vazhduar gjykimet për rastet e PSP-së “Titanik” dhe “Titanik3”....

Në Gjykatën Penale kanë vazhduar gjykimet për rastet e PSP-së “Titanik” dhe “Titanik3”, që kanë të bëjnë për parregullsitë zgjedhore.

Prokurorja speciale, Lile Stefanovska, pas vonesës njëorëshe të seancës gjyqësore, e cila u bë për shkak të transportit të vonuar të të akuzuarit, Munir Pepiq, nga arresti shtëpiak, prezantoi provat materiale. Në mesin e  provave janë dhe shënimet zyrtare, komunikatat partiake, deklaratat e disa personave dhe vërtetimet për objektet e konfiskuara, ndërsa deri në fund të gjykimit janë parashikuar të prezantohen rreth 4 mijë dëshmi tjera materiale.

PSP në rastin “Titanik” akuzon ish kryeministri Gruevski, bashkë me disa ish ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë të VMRO-së për shkelje të së drejtës së votës, të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe shpërdorimin e fondeve për financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-së në vitin 2011 dhe 2013.

Me prezantimin e provave materiale ka vazhduar edhe gjykimi i  “Titanik 3”, në të cilin PSP akuzon Ejup Alimin dhe Ismet Gurin për parregullsi zgjedhore në favor të kandidatit të BDI-së në Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Pengesa kryesore për të cilën u anulua gjykimi për më 24 janar ishte edhe propozimi i PSP-së të lexojë dëshminë e fundit të parashikuar për këtë rast të një personi i cili e ka dhënë më 14 nëntor të vitit 2016 para PSP-së e që ndodhet i martuar në Gjermani.

Mbrojta kundërshtoi këtë propozim duke u arsyetuar se nuk janë shterur të gjitha mundësitë për gjetjen e dëshmitarit. Deri në gjykimin e radhës Këshilli Gjyqësor do të duhet të deklarohet mbi këtë propozim. (Rexhep Qamili, TVM2)