Zgjedhjet e parakohshme, LSDM vendos të premten, VMRO kërkon zgjedhje
Ende nuk dihet nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare....

Ende nuk dihet nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare, ashtu siç kërkon opozita, njofton “TVM2”.
Kryeministri Zaev thotë se vendimi do të merret të premten, në mbledhjen e Këshillit qendror të partisë. Ende nuk ka asnjë propozim as për kandidatin për president.
LSDM aktualisht po bën anketa të brendshme për të matur vlerësimin e opinionit për disa funksionarë dhe personalitete publike në mesin e tyre edhe shqiptarë dhe i zgjedhuri në fund duhet të jetë konsensual.
Ai sqaron se do të insistojë që të shkohet në zgjedhjet presidenciale bashkërisht me partnerët e koalicionit, por një gjë e tillë, nëse nuk arrihet, LSDM do të hyjë në garë e vetme.
“Të gjitha këto janë duke u diskutuar dhe pres që ditën e premte në mbledhjen e Këshillit qendror kur duhet t’i definojmë kandidatët për tre komunat në zgjedhjet lokale, Ohër, Dibër dhe Novo Selë, dhe nominimin e disa kandidatëve për zgjedhjet presidenciale, të bisedojmë edhe për zgjedhjet parlamentare”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërsa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin se BDI nuk është për zgjedhje të parakohshme, por nëse këtë e kërkojnë të tjetër, BDI është e gatshme t’u përgjigjet këtyre përballjeve.
“Në çdo kohë, tani që do të dalim në zgjedhje, BDI e ka fitoren të pakontestueshme dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por, ama, ne për prioritet kemi vendosur disa çështje shumë më të mëdha që janë interes strategjik, që janë interes shtetëror dhe unë tani për tani nuk kam vendosur interesin e BDI-së mbi interesat e qytetarëve dhe mbi interesat shtetërore. Interes shtetëror në këtë situatë nuk është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, por zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe ligjeve të cilat janë miratuar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë”,- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga VMRO akuzojnë Zaevin se ka frikë të pranojë zgjedhje të parakohshme nga frika e humbjes.
“LSDM dhe Zaev ikin sepse e dinë që po humbin. LSDM nuk ka legjitimitet as për ndryshim të emrit kushtetues, as për ligjin jokushtetues të dygjuhësisë. LSDM nuk ka legjitimitet për asgjë që bën. LSDM duhet të inkurajohet dhe të shpallin zgjedhje që ta kontrollojnë legjitimitetin dhe kredibilitetin personal. Zgjedhjet janë dalja e vetme nga kjo krizë në të cilën e kanë futur shtetin”,- thuhet nga VMRO-DPMNE.
Për ASh-në dhe Lëvizjen Besa të Bilall Kasamit, zgjedhjet do të ishin të mirëseardhura. Liberal demokratët do të dalin me kandidatin e tyre për president, por nëse mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, ky qëndrim për dalje vetëm në zgjedhje mund të ndryshojë.
“Ne në këto momente jemi duke menduar vetëm për zgjedhjet presidenciale. Siç kemi potencuar, dëshira jonë është që në këto zgjedhje të shkojmë me kandidatin tonë, por presim që të shohim fillimisht nëse do të ketë zgjedhje parlamentare së bashku me ato presidenciale”,- theksoi Goran Milevski nga LDP.
Kundër zgjedhjeve të parakohshme janë edhe disa parti anëtare të koalicionit qeverisës me LSDM-në. E fundit me një qëndrim të tillë ka dalë DOM e Liljana Popovskës. (Fitim Kryeziu, TVM2)
