Marrëveshja e Prespës, Cipras: Pranuam shtetësinë e jo kombësinë

22.01.2019 19:26

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, dy ditë para ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në parlamentin grek....

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, dy ditë para ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në parlamentin grek, i drejtohet qytetarëve me videoklip të ri të publikuar në profilin e tij në facebook.

Në klipin e titulluar “Erdhi koha të kuptohet e vërteta”, Cipras shpjegon fakte të reja të Marrëveshjes për emrin. Midis tjerash, thuhet se Greqia ktheu historinë, ndërkaq pranoi vetëm shtetësinë e jo kombësinë e popullit maqedonas.

“Kthejmë historinë tonë. Me këtë është arritur edhe pozicionimi ynë 25 vjeçar për emër me përcaktim gjeografik dhe “erga omnes”. Fqinjët tanë ndajnë identitetin e tyre, duke pranuar se gjuha e tyre është sllovene dhe se civilizimi i tyre nuk kanë lidhje me trashëgiminë tonë antike. Me Marrëveshjen e Prespës ne pranojmë shtetësinë dhe jo nacionalitetet që e përbëjnë. Nga librat është larguar irredentizmi, emrat e përmendoreve, infrastrukturës dhe hapësirave publike, ato po ndërrohen”,- thuhet në video.

VAZHDON DEBATI NË KOMISIONIN PARLAMENTAR GREK

Ndërkohë, Komisioni për Punë të Jashtme në parlamentin grek edhe sot ka vazhduar debatin për Marrëveshjen për emrin, duke u fokusuar në shtetësinë maqedonase dhe se me të njëjtën a pranohet edhe identiteti maqedonas.

Zëvendësministri për punë të jashtme, Jorgos Katrugalos, tha se shtetet njohin shtetet e jo popujt, andaj edhe marrëveshja parashikon njohjen e shtetësisë e jo përkatësisë etnike.

“Në të drejtën ndërkombëtare nuk ka definicione të përgjithshme të kombësisë ose popullit. E drejta e vetëpërcaktimit është e drejtë absolute dhe nuk mund të rregullohet me marrëveshje. Sipas kësaj, Greqia me këtë marrëveshje nuk pranon dhe nuk do të mund të pranojë kombësinë maqedonase ose popullin maqedonas”,- u shpreh zëvendësministri i jashtëm i Greqisë, Jorgos Katrugalos.

Reagoi deputeti i Demokracisë së Re, Jorgos Kumucakos, i cili akuzoi qeverinë se me marrëveshjen ka pranuar kombësinë maqedonase.

“Nëse bëhet fjalë për shtetësi, atëherë pse ka nevojë për termin maqedonase? Pasi që shtetësia është lidhja me shtetin dhe përderisa shteti quhet Maqedonia e Veriut, pse shtetësia nuk mbetet shtetësia e Maqedonisë së Veriut, por u shtua termi maqedonase?”,- pyet Jorgos Kumucakos nga  Demokracia e Re.

Marrëveshja e Prespës do të kalojë në seancë plenare nesër, ndërkaq të enjten pritet të votohet. (Meral Ismaili, TVM2)