Pritet koka e gazetarit, ISIS publikon videon
Militantët e Shtetit Islamik të Irakut, e kanë publikuar një video në të cilën pretendohet se tregohet prerja e kokës së gazetarit amerikan...

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut, e kanë publikuar një video në të cilën pretendohet se tregohet prerja e kokës së gazetarit amerikan, James Foley, i cili ishte rrëmbyer në muajin nëntor të vitit 2012 në Siri, nga persona të paidentifikuar dhe të armatosur.
Kjo video, e emëruar “Mesazh për Amerikën”, është postuar mbrëmë në mediet sociale në Internet, ndërsa ende nuk është i mundur verifikimi i menjëhershëm i autenticitetit të videos.
Në këtë video, që zgjatë 5 minuta, grupi thotë se gazetari Foley ishte vrarë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka urdhëruar sulme ajrore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik në pjesën veriore të Irakut.
Ndërkohë Bordi i Guvernatorëve të Transmetimit në Shtetet e Bashkuara, mbrëmë vonë e ka dënuar vrasjen e raportuar me prerje koke të gazetarit amerikan, James Foley, nga grupi ekstremist, Shteti Islamik, dhe e ka dënuar kërcënimin për vrasjen e gazetarit tjetër.
“Aktet e tilla aq tmerruese demonstrojnë mosrespektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë”, tha Jeff Shell, kryesues i BBG-së, në një njoftim për media.
Nga ana tjetër, familja e gazetarit ka shkruar në rrjetin Facebook se “ne asnjëherë nuk kemi qenë më krenar me djalin tonë dhe se ai e dha jetën e vet në përpjekje për t’i zbuluar botës vuajtjet e popullit të Sirisë”.
