Maqedoni

Rruga eurointegruese e Maqedonisë, Brajkoviq: ju presim krahëhapur në NATO; Xhaferi: bashkëpunimi, çelësi për stabilitet rajonal

23.01.2019 17:16

Mali i Zi do të jetë promotori më i fuqishëm, por edhe shtytësi kryesor i Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në BE.

Ky është premtimi që kryeparlamentari malazez, Ivan Brajkoviq, ia bëri kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, në qëndrimin në Shkup.
 
Të njëjtin qëndrim Brajkoviq e potencoi edhe në fjalimin para deputetëve. Sipas tij, me guximin e treguar në ratifikimin e marrëveshjeve me fqinjët, Maqedonia tanimë është shndërruar në një vend i cili promovon paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në rajon, por edhe në Bashkimin Europian.
 
“Mali i Zi do ta presë krahëhapur Maqedoninë në NATO dhe me këtë të bëhet vendi i 30 i kësaj familje të madhe. Por, kisha pasur dëshirë që pikërisht Mali i Zi të jetë vendi i parë i cili do ta ratifikonte marrëveshjen për anëtarësim të Maqedonisë në NATO”,- tha kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajkoviq.
 
Xhaferi falënderoi homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme që i jep vendit tonë. 
 
“Patjetër më duhet ta potencoj dhe të falënderohem për mbështetjen e fuqishme që e pranojmë nga Mali i Zi, për të cilët integrimi i Maqedonisë në NATO paraqet prioritet nacional, për arsye se jemi të njëzëri se me këtë do të arrihet stabilitet në rajon dhe kështu do të mund ta intensifikojmë bashkëpunimin rajonal”,- deklaroi kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
 
Brajovic dhe delegacioni që drejton mbajtën takim pune edhe me grupin parlamentar për bashkëpunim mes dy parlamenteve.
 
FITIM KRYEZIU