Shqipëri, Rama ia delegon kompetencat Gent Cakajt
Pas fjalëve të pranim-dorëzimit të detyrës, Rama ia ka deleguar postin e ministrit të jashtëm zëvendësministrit, Gent Cakaj...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë formalisht detyrën e ministrit të jashtëm ditën e sotme nga paraardhësi i tij, Ditmir Bushati.
Por, menjëherë pas fjalëve të pranim-dorëzimit të detyrës, Rama ia ka deleguar postin e ministrit të jashtëm zëvendësministrit, Gent Cakaj, i shumëkundërshtuar nga presidenti, Ilir Meta.
"Është fjalë më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i jashtëm i delegoj zotit Gent Cakajt drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare",- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Cakaj, i cili de fakto do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Jashtme, për herë të parë komentoi argumentet e Ilir Metës në aktin e refuzimit të tij si ministër.
"Ndjehem më i lehtësuar sepse më është komunikuar detyra e lartë. Me kompetenca të deleguara nga Edi Rama, nën vëzhgimin e tij është një status i garantuar. Mosha e re është burim energjie. 5 muajt e ardhshëm do të jenë punë pa orar",- theksoi zëvendësministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj.
Presidenti Meta u shfaq i qetë për këtë delegim kompetencash, por u kujdes t’i kujtojë limitet Cakajt.
"Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si president i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë",- tha presidenti, Ilir Meta.
Rama e Cakaj do të duhet së shpejti të trokasin sërish në zyrën e Ilir Metës për të marrë autorizimin e firmosjes së marrëveshjes detare me Greqinë, proces i cili është stopuar nga Ilir Meta, e njëkohësisht është lënë për një moment të dytë nga Cipras i cili në Greqi po përballet me sfida të brendshme për çështjet e jashtme. (Luljeta Ndoka, TVM2)
