Botë
Venecuelë, ShBA dhe BE mbështesin Guidon për president. Kina, Rusia, Irani dhe Turqia mbështesin Maduron
24.01.2019 16:23
Uashingtoni ka njohur liderin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës...

Të mërkurën, Guaido e shpalli veten president gjatë protestave masive antiqeveritare. Ndërsa ShBA-të vlerësuan se "ish-presidenti Maduro" nuk ka më autoritet dhe i bëri thirrje ushtrisë që të mbështesë Guaidon.
Administrata Trump e akuzon Maduron për shkeljen e të drejtave të njeriut, tregti me drogë dhe kriminalitet. Por, Maduro u ka dhënë ultimatum ShBA-ve duke u dhënë 72 orë afat t’i tërheqin të gjithë diplomatët nga Venezuela. Uashingtoni tanimë ka vënë në listën e zezë 72 persona nga Venezuela dhe ka aplikuar sanksione për një pjesë të mallrave industriale.
“Mjaft më u përziet, këtu ekziston dinjitet, njerëzit janë të gatshëm ta mbrojnë vendin. Imperialistët e ShBA-ve zhvillojnë operacion nëpërmjet grushtit ushtarak të imponojnë qeveri që u përshtatet interesave të tyre”,- tha Nicolas Maduro.
Kina, Rusia, Irani dhe Turqia po e mbështesin Maduron si udhëheqës të Venezuelës dhe i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihet në trazirat në Venezuelë.
“Fakti se ShBA-të dhe shumë vende tjera të rajonit menjëherë e pranuan presidentin e ri të përkohshëm, do të thotë se këto shtete janë direkt të përfshira në krijimin e forcës së dyfishtë që mund të rezultojë me kaos dhe destabilizim të gjendjes politike”,- u shpreh Sergej Lavrov nga MPJ e Rusisë.
Edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, në një bisedë telefonike i ka shprehur mbështetje presidentit të Venezuelës, Maduros.
“Vëllai im Maduro, qëndro në këmbë! Ne jemi pranë jush”,- citohet të jetë shprehur Erdogan.
Por, nga ana tjetër, përveç ShBA-ve edhe BE-së ka uruar Guaidon në postin e presidentit të përkohshëm. Ndërsa qytetarët e Venezuelës që kanë migruar në Peru, janë tubuar për t’i dhënë përkrahje presidentit të ri.
“Guido është presidenti me dëshirën për t’i ndryshuar gjërat. Për ne nuk është me rëndësishme se ai apo kush është president, por se po ndryshon historia politike e vendit”.,- u shpreh një qytetare.
“Ai nuk është vetëm, edhe pse jemi në Peru, qindra kilometra jemi me atë, sepse ka guxim që t’i kundërvihet regjimit të Maduros”,- theksoi një qytetar.
Deri më tani, ushtria i ka mbetur besnike Maduros. Ekonomia në Venezuelë është dobësuar, inflacioni është i lartë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa e gjërave bazë kanë bërë që miliona njerëz të ikin nga ky vend.
Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në një tubim të mërkurën, në kryeqytetin Karakas, në mbështetje të Guaidos, i cili është udhëheqës i Asamblesë Kombëtare.
Ai u tha turmave se protestat do të vazhdojnë "derisa Venezuela të çlirohet". Maduro ka ardhur në pushtet në vitin 2013, ndërsa mandatin e dytë e mori vitin e kaluar në zgjedhjet që ishin bojkotuar nga opozita.
GYLTENE SINANI
