Maqedoni

Marrëveshja e Prespës, votimi shtyhet për nesër në mesditë. Debat i ashpër midis pozitës dhe opozitës, Kaklamanis kundërshton deklaratën e Nimicit. Shinas: mundëson të tejkalohet e kaluara

24.01.2019 18:11

Votimi i Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek shtyhet për të premten në mesditë, si pasojë e numrit të madh të deputetëve që presin të marrin fjalën...

Nga koordinimi i partive politike është rënë dakord që debati të përmbyllet një orë e gjysmë pas mesnate dhe të vazhdojë nesër në mëngjes.
 
Ndërkohë që gjatë ditës nuk munguan kundërshtimet midis mazhorancës dhe opozitës. Kritikët e Demokracisë së Re kanë akuzuar për arritje të një marrëveshjeje të dëmshme, e cila kërcënon interesin kombëtar të Greqisë.
 
Ndërkaq, përkrahësitë e kryeministrit Cipras kanë konsideruar se marrëveshja do të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit dhe me këtë Athina do të rikthente ndikimin në rajon. Zëvendësministrja për Maqedoninë dhe Traki, Katerina Notopulu, tha se miratimi i marrëveshjes mundëson bashkëpunim më të mirë ekonomik midis dy vendeve.                                                                                     
“Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës do të mundësojë miratimin e financimit nga mekanizmat europianë për shumë projekte të mëdha midis dy shteteve të cilat në kombinim me ato që janë planifikuar dhe zbatohen, do ta bëjnë Greqinë e Veriut një nyje të rëndësishme transitore”,- tha zëvendësministrja për Maqedoni dhe Traki, Katerina Notopulu.                                                                                        
Nënkryetari i Parlamentit grek nga radhët e Demokracisë së Re, Nikitas Kaklamanis, e vlerësoi si joadekuate dhe të papranueshme deklaratën e djeshme të ndërmjetësit për emrin, Metju Nimic.                                                                                                      
“Besoj se të gjithë kolegët në sallë, ata që do të votojnë ‘për’ dhe ata që do të votojnë ‘kundër’ vendimit, do të jenë rezultat i të menduarit të tyre të lirshëm dhe mbështetje e politikave partiake. Andaj edhe e konsideroj si të papranueshme deklaratën e djeshme të zotit Nimic”,- theksoi nënkryetari i Parlamentit grek, Nikitas Kaklamanis.                                                                                                             
Por, situata u tensionua nga deklarata e eurokomisionerit për migracion, Dimitris Avramopulos, i cili e cilësoi marrëveshjen si jo të balancuar dhe problematike. Brukseli zyrtar deklaratën e tillë nuk e konsideron si qëndrim zyrtar të Komisionit Europian.     
                                                                                                                         
“Kjo është një marrëveshje e rëndësishme për zgjidhjen e një nga çështjet më të vjetra në rajon. Kjo është mundësia që të tejkalohet e kaluara, jo vetëm në rajon por edhe në mbarë Europën”,- tha zëdhënësi i KE-së, Margaritis Shinas.               
                                                                                           
Në prag të votimit të marrëveshjes, kryeministri grek, Aleksis Cipras, porositi deputetët që të lënë anash ndasitë dhe të unifikohen në interes të shtetit.
 
“Marrëveshja e Prespës është akt historik, jo vetëm për dy shtetet tona, por edhe për mbarë Europën, pasi krijon marrëdhënie miqësie, bashkëpunimi dhe stabiliteti”,- ka porositur Cipras.
 
MERAL ISMAILI