Maqedoni
Presidencialet, partitë kalkulojnë, nuk ka emra oficialë
24.01.2019 18:24
Partitë politike po kalkulojnë akoma me emrat e kuadrove si kandidatë të mundshëm për president të vendit...

Nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se për këtë çështje do të vendos këshilli qendror i partisë të premten. Sipas tij, LSDM është e fokusuar në përzgjedhjen e kandidatit të kapshëm për të gjithë qytetarët.
“Ne do t’i hapim këto tema në kudër të partisë nesër gjatë këshillit qendror, ku do t’i shqyrtojmë të gjitha aspektet. Për Maqedoninë është shumë me rëndësi që të kemi president që do të jetë i kapshëm për të gjithë qytetarët, i cili do të dijë të shohë drejt ardhmërisë, i cili do të dijë ta prezantojë dinjitetshëm RM-në. Jam i bindur se edhe në LSDM dhe Maqedoni ka persona të tillë që të ulen në ballë RM-së dhe të mbështeten nga të gjithë qytetarët”,- tha Oliver Spasovski nga LSDM.
Ndërkohë në VMRO-DPMNE vazhdon konkursi i kandidatëve për kryetar shteti. Më 16 shkurt, opozita do të mbajë kongres në Strugë, ku edhe zyrtarisht do të mësohet garuesi i VMRO-DPMNE-së për të parin e shtetit.
Deri më tani vetëm Vllatko Gjorçev i kësaj partie ka shpallur kandidaturën për president. Partitë politike shqiptare nuk kanë nxjerrë emra si kandidatë me të cilët do të garojnë në zgjedhjet presidenciale, teksa kreu i kuvendit, Talat Xhaferi, ka paralajmëruar 21 prillin si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
NAIM RAMADANI
