Botë

Kuçovë, Nato nis punimet për bazën ajrore

24.01.2019 19:27

Aleanca e Atlantikut Verior, NATO, në të cilën Shqipëria është anëtare prej 10 vitesh...

Aleanca e Atlantikut Verior, NATO, në të cilën Shqipëria është anëtare prej 10 vitesh, ka përzgjedhur të përshëndes me një paradë me avion në qiejt e Tiranës zyrtarizimin e punimeve për bazën ajrore të Kuçovës.
 
Gjenerali i NATO-s, Tod Wolters, ka takuar ministren e mbrojtjes, Olta Xhackan, me të cilën konfirmuan publikisht mbështetjen e NATO-s për ndërtimin e bazës ajrore në Kuçovë.
 
Në fjalën e tij gjenerali Wolters shprehu vlerësim për paqen që përcjell Shqipëria në rajon e botë si dhe u ndal tek arsyet pse NATO zgjodhi Kuçovën.
 
“Jemi të emocionuar që t’ju kemi ju partnerë në NATO. 10 vjet më parë kombi juaj u bë pjesë e aleancës. Do të vazhdojmë me përmirësimin e infrastrukturës. Forcat e armatosura shqiptare i japin një investim të fuqishëm NATO-s. Paqja që transmetoni ju është e mrekullueshme për aleancën. Privilegj absolut që avionët e NATO-s të nderonin përkushtimin tuaj. Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin me ju. Unë do të flas për Shqipërinë në lidhje me Kuçovën. Kemi një fushë të pozicionuar në një vend shumë strategjik. Ka kushte atmosferike shumë të mira ku edhe mund të ulen shumë lehtësisht avionët”,- tha gjenerali i NATO-s, Tod Wolters.
 
Ministrja Xhacka e vlerësoi mbështetjen e NATO-s në 10 vjetorin e anëtarësimit duke i çuar marrëdhëniet në një tjetër standard. 
 
Në paradën e avionëve të mbajtur nga komanda ajrore e NATO-s në qiejt e Tiranës ishte planifikuar dhe fluturimi i avionit radar nga më të mëdhenjtë në botë, po për shkak të kohës së keqe në bazën e Gjermanisë, fluturimi u anulua.
 
LULJETA NDOKA