Maqedoni
Çashkë, nxënësit shqiptarë mësojnë në maqedonisht. Sela: Kushtetuta garanton mësimin në gjuhën amtare
25.01.2019 15:22
Kryetari i Aleates për Shqiptaret, Zijadin Sela, kërkon zgjidhjen e problemit me nxënësit shqiptarë të komunës së Çashkës...

Kryetari i Aleates për Shqiptaret, Zijadin Sela, kërkon zgjidhjen e problemit me nxënësit shqiptarë të komunës së Çashkës, të cilët nuk e gëzojnë të drejtën e garantuar me kushtetutë që mësimin ta ndjekin në gjuhën e tyre amtare.
Meqë mësimi në gjuhën amtare është i garantuar me Kushtetutë, Sela kërkon që MASh-i dhe Qeveria të përcaktojnë numrin e përgjithshëm të fëmijëve të cilët nuk mund ta realizojnë këtë të drejtë.
Kreu i ASh-së kërkon nga ministri i arsimit, Arbër Ademi, që për shkaqe morale të japë dorëheqje.
Ai shtoi se slogani “një shoqëri për të gjithë” nuk mban, për shkak se nuk mund të jetë një shoqëri për të gjithë derisa dikujt i mohohet e drejta e arsimit në gjuhën amtare.
“Një dukuri që u bë publike këtyre ditëve lidhur me shkollimin e fëmijëve shqiptarë në komunë e Çashkës, nxënës që nuk e gëzojnë të drejtën e tyre të garantuar me kushtetutë, shkollimi në gjuhën amtare... Skandaloz është fakti që këta fëmijë shqiptarë të moshës 6, 7 dhe 8 vjeç nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën shqipe. Kërkojmë urgjentisht që Ministria e Arsimit dhe qeveria të bëjë një analizë se sa është numri i fëmijëve që nuk mund ta realizojnë të drejtën e tyre për mësim në gjuhën amtare”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
