Epidemia e Fruthit, shënohen tetë raste të reja
Tre fëmijë të diagnostifikuar me karcinom janë infektuar njëkohësisht nga fruthi....

Tre fëmijë të diagnostifikuar me karcinom janë infektuar njëkohësisht nga fruthi. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile, bëjnë të ditur nga Klinika për Sëmundjet e Fëmijëve. Ata janë infektuar gjatë trajtimit në repartin hematologjik. Mjekët sqarojnë se rreziku për infektimin e tyre ka qenë i madh sepse imuniteti i tyre është i dobët.
DREJTUESIT E KLINIKËS INFEKTIVE TË FËMIJËVE: GJENDJA E FËMIJËVE ËSHTË STABILE
“Vazhdimisht jemi në kontakt me klinikën për sëmundje infektive sa i përket trajtimit të këtyre pacientëve. Deri më tani kemi vetëm një fëmijë me pasqyrë klinike të përkeqësuar, por sipas informatave të fundit, gjendja e tij është stabile”,- tha drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve, Katarina Stavriq.
3 FËMIJË ME KARCINOM DIAGNOSTIFIKOHEN ME MORBILI
Në 24 orët e fundit në Klinikën Infektive janë regjistruar tetë raste të reja prej të cilave dy janë hospitalizuar. Po ashtu edhe te tetë të punësuar në Klinikë që kanë qenë të vaksinuar janë infektuar me morbili. Infektologët apelojnë që vaksinimi të vazhdojë që të parandalohen komplikimet nga fruthi.
“Vaksinimi duhet të vazhdojë patjetër, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që nuk janë të sigurtë për statusin e tyre vaksinal, por edhe prindërve të fëmijëve të pavaksinuar, që sa më shpejt të kryejnë obligimin për vaksinim”,- theksoi drejtoresha e Klinikës për Sëmundje Infektive, Milena Starvriq.
Punktet për vaksinim gjatë vikendit punojnë 24 orë. Nga punkti në Bit Pazar thonë se interesi për vaksinim është shtuar, vaksinat janë të sigurta andaj prindërit t’i vaksinojnë sa më shpejt fëmijët.
“Vaksinat janë të gjitha me afat edhe pse ka pasur vaksina me deklaracione të skaduara, kanë qenë të shkruara vetëm në kuti, ato kanë afat deri në muajin maj të vitit 2019 nuk kemi pasur dhe nuk do të ketë vaksina me afat të kaluar që t’u jepen pacientëve”,- theksoi mjekja, Melehat Bekteshi.
Reaksioni i vetëm nga kjo vaksinë është vetëm rritja e vogël e temperaturës, ndërsa përfitimet nga vaksinimi janë të mëdha.
“Raeaksioni i vetëm nga vaksina MRP është rritja e temperaturës 10 deri në 15 ditë pas pranimit të vaksinës dhe nuk është asgjë në krahasim me pasojat dhe komplikimet, andaj më mirë është që fëmijët të vaksionohen”,- deklaroi mjekja, Melehat Bekteshi.
Nga fillimi i epidemisë së fruthit deri më tani janë vaksinuar gjithsej 4200 persona. Infektologët thonë se ky numër duhet dyfish të rritet që të parandalohet infeksioni i fruthit. (Flutura Latifi, TVM2)
