Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, partitë taktizojnë kandidaturat
Vazhdon taktizimi i subjekteve politike për zgjedhjet presidenciale....

Vazhdon taktizimi i subjekteve politike për zgjedhjet presidenciale dhe eventualisht ato të parakohshme parlamentare.
Edhe pse për këtë të fundit partitë të cilat kanë më pak deputetë në Kuvend vetëm po shikojnë se cili do të jetë vendimi i partive të mëdha, siç janë LSDM dhe BDI, por edhe VMRO-DPMNE. Hristian Mickovski ka kohë që po kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Ne duam zgjedhje parlamentare sipas modelit të Përzhinës, edhe atë së bashku me presidencialet. Sa i përket kandidatit presidencial, akoma nuk kemi vendosur se kush do të jetë kandidati ynë, por cili do që të garojë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, jemi optimist se do të jetë fitues dhe kemi synim të sigurojmë 500 mijë vota”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
Ndërsa nga BDI për zgjedhjet presidenciale kanë deklaruar se do të dëshironin të dalin me një kandidat konsensual, ndërsa për zgjedhjet parlamentare kanë pohuar se interes partiak është që të shkojmë në zgjedhje parlamentare, por interesi i shtetit është i kundërt.
“Sa i takon idesë për president konsensual, është një kërkesë konzistente, e cila zgjat më shumë se 5 vite. Këtë ide e kemi lansuar në vitin 2014 me partnerin e atëhershëm, sepse në Maqedoni i vetmi institucion ku nuk ka mekanizëm për t[u mbrojtur nga majorizimi është presidenca. Andaj ne e lansuam idenë atëherë për president koncesual, i cili do t[i tejkalonte kufijtë etnikë dhe kufijtë partiakë. Presidenti patjetër duhet të reflektojë vullnetin e dy komuniteteve më të mëdha”,- tha Bujar Osmani nga BDI.
Kurse nga Aleanca për Shqiptarët janë të mendimit se vendit i duhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa për ato presidencialet, nga ASh kanë pohuar se do të dalin me kandidat të tyre, por akoma nuk janë marrë vesh se a do të shkojnë në koalicion me dikë.
“ASh do të dalë me kandidatin e saj, zgjedhjet presidenciale janë një moment i rëndësishëm për të folur për të vërtetat e kësaj shoqërie dhe të këtij sistemi, janë për të zgjedhur njeriun i cili i ka ndjerë në kurrizin e tij pasojat e sistemit dhe diskriminimin për një afat të gjatë kohore, dhe për këtë mendojmë se një president i përkatësisë shqiptare do të ishte zgjidhja më e mirë”,- u shpreh lideri i ASh-së, ZIJADIN SELA.
Kurse nga BESA akoma nuk kanë vendosur për zgjedhjet presidenciale, ndërsa ato parlamentare i mirëpresin, por vetëm kanë pohuar se kanë marrë një propozim nga diaspora shqiptare.
“Ka pasur një propozim nga diaspora, ku ne si Lëvizjes Besa i dhamë një vlerësim pozitiv për kandidat të mundshëm, por është vetëm një alternativë, pra nuk është një alternativë e mbyllur”,- theksoi deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
VMRO-DPMNE me shumë gjasa do të vendos tanimë për Vllatko Gjorçevin si kandidat për president, ndërsa tek partitë tjera shqiptare pozicionet rreth kandidaturave janë pak a shumë të definuara, sepse PDSh dhe Lëvizja Besa e Gashit presin ta përkrahin kandidatin konsensual, ndërsa ASh dhe BESA e Kasamit priten të dalin me një kandidat të përbashkët. (Fitim Kryeziu, TVM2)
