Marrëveshja e Prespës, Parlamenti grek ratifikon marrëveshjen, Micotakis: Humbje dhe gabim kombëtar
Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Prespës për çështjen e emrit, njofton “TVM2”....

Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Prespës për çështjen e emrit. Nga 300 deputetë, 153 i dhanë mbështetje emrit të ri, Maqedonia e Veriut, 146 votuan kundër, ndërkaq një abstenoi. Votimit i parapriu debat i ashpër. Deputetët e partisë opozitare, Demokracia e Re, që votuan kundër, deklaruan se marrëveshja është e dëmshme për Greqinë.
“Marrëveshja e Prespës nuk duhej të nënshkruhej dhe nuk duhet të arrijë në parlamentin grek për ratifikim, pasi që kjo është humbje dhe gabim kombëtar që ndikon në të vërtetën dhe historinë e vendit”,- tha lideri i Demokracisë së Re, Kiriakos Micotakis.
MAZHORANCA: AKT HISTORIK DREJT STABILITETIT
Me gjithë akuzat, kryeministri grek, Aleksis Cipras, në fjalimin e tij ftoi deputetët të mbështesin marrëveshjen. Ratifikimi i saj, sipas Ciprasit, është akt historik për dy vendet, rajonin dhe Europën, pasi që vendosen marrëdhënie të miqësisë, bashkëpunimit dhe stabilitetit.
"Sot është një ditë historike. Greqia mbron një pjesë të rëndësishme të historisë së saj, trashëgimia e Maqedonisë së lashtë greke. Sot po shkruajmë një faqe të re për Ballkanin. Brezat e ardhshëm në të dy vendet do t'u detyrohen mirënjohje anëtarëve të cilët me guxim vënë themelet për një të ardhme të paqes, solidaritetit dhe harmonisë midis dy popujve. Maqedonia e Veriut që sot ka lindur do të jetë një vend mik. Aleat i Greqisë në përpjekjet e saj për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon",- ka shkruar Cipras.
Në mbrojtje të marrëveshjes dolën edhe deputetët e larguar nga partia, Grekët e Pavarur, të ish ministrit të mbrojtjes, Kamenos, ish partner i koalicionit në qeverinë Cipras.
“Me marrëveshjen promovohet paqe, përparim ekonomik dhe social dhe afrohen popujt në një rajon jo të qetë të Europës dhe zgjidh problemin dekadësh në mënyrë fer, andaj është edhe patriotik, korrekt dhe në interes kombëtar”,- tha Elena Koutura nga Grekët e Pavarur.
Deputeti i pavarur, Stavros Teodorakis, paralajmëroi për reagime negative nga perëndimi nëse Greqia refuzonte marrëveshjen.
“Pjesa më e madhe e njerëzve në botë kur do të dëgjojnë Maqedoni mendojnë në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. 140 shtete e njohën si Republika e Maqedonisë. Kjo është dëshmi se kemi gabuar në atë që kemi bërë me vite”,- tha deputet i pavarur, Stavros Teodorakis.
Me ratifikimin e Marrëveshjes në Greqi, dy vendet përmbushin detyrimet drejt finalizimit të procesit, me ç’rast Maqedonisë i hapet rruga për t’u bërë anëtarja e 30 e NATO-s me emrin Maqedonia e Veriut. (Meral Ismaili, TVM2)
