Maqedoni
Ratifikimi i marrëveshjes, Junker – Mogerini - Han: faqe e re në ardhmërinë e BE-së. Stoltenberg: mezi pres ta shoh Maqedoninë në NATO. Tusk: misioni i pamundur u përmbush
25.01.2019 18:16
“Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës në Kuvendin e Greqisë është cilësuar si historike...

Menjëherë pas ratifikimit të suksesshëm edhe nga pala greke, urime të shumta kanë vërshuar edhe nga personalitete ndërkombëtare.
Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme, Federika Mogerini, dhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, e përshëndetën ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Kuvendin e Greqisë.
“Që nga fillimi Bashkimi Evropian fort e ka mbështetur marrëveshjen historike të nënshkruar nga kryeministrat Zaev dhe Cipras, në negociatat nën kujdesin e OKB-së. Të dy vendet e kanë shfrytëzuar këtë mundësi unike, e cila paraqet shembull për pajtim në Evropë si përgjithësi dhe do të japë nxitje shtesë në perspektivën evropiane në rajon. Deri sa me gëzim i presim hapat e radhës procedurale, që do të çojnë në zbatimin e plotë të marrëveshjes, me siguri mund të themi se Athina dhe Shkupi nënshkruan faqe të re të së ardhmes tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian”,- thuhet në urimin e përbashkët nga Junker, Mogerini dhe Han.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti marrëveshjen dhe vlerësoi se ajo është e rëndësishme për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.
“Përshëndes ratifikimin e Marrëveshjes në Parlamentin grek. Marrëveshja është e rëndësishme për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit. Me padurim pres që Republika e Maqedonisë së Veriut të kyçet drejt NATO-s",- shkruan Stoltenberg.
Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, uroi dy kryeministrat, Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev, që ishin të gatshëm të sakrifikojnë interesat e tyre për të mirën më të madhe.
“Ata kishin imagjinatë, ata rrezikuan, ata ishin të gatshëm të sakrifikojnë interesat e tyre për një të mirë më të madhe. Zoran dhe Alexis – shumë mirë! Misioni i pamundur u përmbush”,- shkruan Tusk.
Ratifikimi i Marrëveshjes në Kuvendin grek është përshëndetur edhe nga personalitete të larta nga Shqipëria dhe Kosova.
ZEKIRIJA MEXHITI
