Maqedoni
Zaev, Dimitrov, Osmani dhe Gashi: përshëndesim ratifikimin e marrëveshjes
25.01.2019 18:31
Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek e ka përshëndetur kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev...

Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se nënshkrimi i marrëveshjes edhe nga ana e Greqisë është një fitore historike.
"Urime miku im, Alexis Tsipras! Së bashku me popujt tanë kemi arritur një fitore historike. Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës, qofshin të përhershme paqja dhe progresi në Ballkan dhe Evropë”,- ka shkruar Zaev.
Menjëherë pas votimit të marrëveshjes ka reaguar edhe ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, duke shkruar se është krenar për të arriturën në këtë drejtim.
“Kurajoja dhe shpresa mundën frikën. Ardhmëria është këtu. Siç thoshte shpesh Nikos, historia duhet të jetë mësuese, jo një burg. Jam shumë krenar për atë që kemi bërë. Rroftë miqësia jonë dhe miqësia mes popujve tanë! Rroftë patriotizmi vizionar!”,- ka shkruar Dimitrov.
Nënshkrimin e marrëveshjes e ka uruar edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani.
"Urime për të gjithë ne, mirënjohje për qytetarët e dy vendeve. Ballkani sot fitoi dy fqinj, miq të shkëlqyer, shembull për të gjitha vendet tjera të Ballkanit",- ka shkruar Osmani.
Ratifikimi i sotëm i Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek është, në një mënyrë, edhe përmbyllje e një procesi të mundimshëm, të gjatë dhe të lodhshëm, por gjithsesi të guximshëm, shkruhet në kumtesën e Lëvizjes Besa të Afrim Gashit.
"Dëshiroj t’i falënderoj deputetët grekë për pjekurinë e dëshmuar, e t’i përgëzoj edhe qytetarët e Maqedonisë që ndihmuan dhe patën mirëkuptim për këtë proces",- thuhet në kumtesë.
Parlamenti i Greqisë ratifikoi Marrëveshjen e Prespës që u nënshkrua midis Maqedonisë dhe Greqisë në fund të këtij viti, marrëveshje kjo që përmbylli mosmarrëveshjen e emrit që zgjati gati tre dekada.
FLORIJE BELULI KAMBERI
