Maqedoni
Zaev uron Ciprasin me Marrveshjen e Prespës: Jemi fitues dy vendet
26.01.2019 14:39
Marrëvesja e Prespës i dha fund një episodi të paqes së pa përfunduar në Ballkan....

Marrëvesja e Prespës i dha fund një episodi të paqes së pa përfunduar në Ballkan. Kështu vlerësoi kryeminsitri Zoran Zaev, i cili duke përshëndetur vendimin për ratifikimin e kësaj marrveshjeje nga ana e kuvendit grek tha se fitues janë qytetarët e dy vendeve.
"Me pranimin dhe implementimin e Marrveshjes së Prespës fitues janë qytetarët e dy vendeve por edhe qytetarët e tërë rajonit. Fitues janë edhe ata që e kundërshtuan marrëveshjen sepse edhe për ata vjen koha e prosperitetit, paqes dhe miqësisë ashtu si edhe për pjestarët progresiv të popujve të dy vendeve. Me krenari dhe falenderim e uroj mikun tim kryeminsitrin Aleksis Tsipras për votimin fitues në kuvend për Marrveshjen e Prespës", tha Zaev.
Zaev falenderoi edhe deputetët e kuvendeve të dy shteteve të cilët u përcaktuan ta japin votën e tyre për siç tha ai për të fituar e ardhmja, votë me të cilën mori fund friga që ishte paraqitur si e pa tejkalueshme, u zgjidh kontesti që paraqitej si i pa zgjidhshëm. Nuk ishte e lehtë tha Zaev por ishte mëse e nevojshme për dy vendet dhe popujt, investim që fëmijët dhe qytetarët të jetojnë më mirë.
Ndërkohë Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, i ka dërguar një letër ish-ministrit të Jashtëm grek Nikos Koxias, i cili ishte edhe nënshkrues i Marrëveshjes së Prespës, ku thekson se të gjithë që dhanë kontribut në këtë vepër shekullore, duhet t’janë krenarë, sepse ndërtuan vlerë civilizuese evropiane, kontribuan për paqe në tërë rajonin.
“Më në fund erdhi dita kur bashkarisht mund t’i gëzohemi një suksesi të përbashkët kaq të madh. Shpesh i rikujtoj takimet tona të shumta fort konstruktive, të hapura e të sinqerta, kur ndanim të njejtin qëllim, kishim të njejtat bindje, por edhe na bashkonte i njejti optimizëm se mund t’ia arrijmë këtu. Fortunat dhe vranësirat nuk na largonin dot nga qëllimi i paracaktuar dhe u dëshmua që ishim në rrugën e duhur të historisë dhe që asnjëherë nuk e larguam përqëndrimin tonë nga qëllimi përfundimtar. I nderuar mik, ia dolëm”, thekson në letër Ahmeti. Sipas liderit të integristëve sot, rajoni jonë, Evropa juglindore, u gdhi në rrethana krejtësisht të reja gjeostrategjike dhe gjeopolitike.
Ndryshe sipas procedurës, pas nënshkrimit nga presidenti i Greqisë të Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe publikimit të tij në Gazetën Zyrtare që pritet të bëhet të hënën, më 28 janar, Greqia duhet ta njoftojë sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se Marrëveshja e Prespës është ratifikuar.
Shteti grek duhet ta ratifikojë edhe Protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në NATO, pas çka Greqia duhet të dërgojë shënim verbal në Maqedoni me të cilën do ta informojë për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe për Protokollin për anëtarësim në NATO, ndërsa më pas Maqedonia duhet të dërgojë shënim në Greqi dhe në Kombet e Bashkuara se Marrëveshja hyn në fuqi dhe vendi zyrtarisht do të riemërtohet Republika e Maqedonisë së Veriut. E tërë kjo procedurë do të duhet të ketë përfunduar gjatë muajit shkurt të këtij viti.
NAIM RAMADANI
