Stoltenberg: Protokolli për në NATO do të firmoset shpejt
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se...

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se protokolli për hyrjen e Maqedonisë në NATO do të nënshkruhet shumë shpejt.
“Do ta nënshkruajmë protokollin në NATO dhe këtë mund ta bëjmë shumë shpejt. Për ratifikim duhet më shumë kohë, gjithçka varet nga 29 kuvendet e vendeve anëtare”,- deklaroi Stoltenberg për Politiko-Evropa.
Është e mundur që gjatë kësaj jave, ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s ta nënshkruajnë protokollin. Disa vende anëtare, si Sllovenia, tashmë kanë marrë dritë jeshile për këtë, siç njoftoi ambasadori i Sllovenisë, Jellko Kaçin.
“Sapo do ta nënshkruajmë protokollin qasës, Shkupi do të ulet në tavolinë”,- tha Stoltenberg.
Kjo do të thotë se Maqedonia do të marrë pjesë si vend vëzhgues në të gjitha formatet kyçe të mbledhjeve të Aleancës, por anëtare fuqiplotë do të bëhet pasi 29 kuvendet e 29 shteteve anëtare do ta ratifikojnë protokollin qasës.
