Dimitrov: Deri javën tjetër nënshkruajmë protokollin e NATO-s, Linkeviçius: Maqedonia gëzon mbështetjen e Lituanisë
Gjatë kësaj jave ose në fillim të javës që vjen, Maqedonia do ta nënshkruajë protokollin për anëtarësim në NATO....

Gjatë kësaj jave ose në fillim të javës që vjen, Maqedonia do ta nënshkruajë protokollin për anëtarësim në NATO, ndërsa në ulësen e Këshillit të Aleancës përfaqësuesi i vendit do të ulet sapo protokolli të jetë miratuar në parlamentin grek, deklaroi shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov.
"Këtë javë ose në fillim të javës që vjen duhet të nënshkruhet protokolli për anëtarësim NATO. Më pas ai duhet të shkojë në kuvendin grek për ratifikim. Shpresoj se më pas të gjithë miqtë tanë, në mesin e të parëve edhe Lituania, do ta ratifikojnë protokollin në kuvendet e tyre",- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Lituania do të jetë në mesin e vendeve të para që do ta nënshkruajë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, me çka do të mundësohet rrumbullakimi i Marrëveshjes së Vilnusit të vitit 2000 si deklaratë për mbështetje të ndërsjellë dhe solidaritet në integrimet euroatlantike, deklaroi shefi i diplomacisë lituaneze, Linkeviçius, pas takimit me ministrin Dimitrov.
“Jam këtu që t’u shpreh përkrahje miqve tanë dhe aleatëve tanë të ardhshëm. Puna ende nuk ka përfunduar, këtë e kanë të qartë të gjithë dhe nuk do të rrimë anash, por në mënyrë aktive do të ndihmojmë. Po ashtu Maqedonia e ka mbështetjen e Lituanisë, edhe në pjesën e reformave, në atë të gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit, dhe në administratën publike”,- tha shefi i Diplomacisë lituaneze, Linas Linkeviçius.
Vizita e Linkeviçius simbolikisht vjen pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, duke përkujtuar se pikërisht ai ka qenë nënshkruesi i Deklaratës së Vilnusit dhe se Maqedonia është shteti i fundit nga ky grup që ka mbetur jashtë, theksoi ministri Dimitrov. Dimitrov dhe Linkeviçius nënshkruan edhe Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e transportit ndërkombëtar. (Gyltene Sinani, TVM2)
