Maqedoni
74 vjet Radio Shkupi, sfida e radhës programi 24 orë në shqip
28.01.2019 16:02
“Ju flet Radio Shkupi”, kjo frazë e thënë për herë të parë më 28 janar të 1945 nga Vllado Malevski...

“Ju flet Radio Shkupi”, kjo frazë e thënë për herë të parë më 28 janar të 1945 nga Vllado Malevski, shënoi lindjen e radios, që do të kthehej në shkollën e parë të gazetarisë radiofonike në gjuhën shqipe në Maqedoni.
Në vitet e ‘60 programi në gjuhën shqipe kishte redaktorin e parë, Talat Avçen, kurse në vitin 1967 u emërua edhe kryeredaktorja e parë, Murteza Peza.
“Rilindja” e Radio Shkupit filloi pas viteve të ‘90-a, kur programi prej rreth 3 orësh u dyfishua e më pas edhe u trefishua, në këto vite u formua edhe orkestrina popullore që inicioi dhe nxori në dritë kasetën e parë me këngë popullore nga produksioni i Radio Shkupit.
“Para luftës së Kosovës, kur Radio Prishtina më nuk funksiononte, ne të gjitha shiritat i kemi mbajtur edhe nëpër mal t’i sjellim në Radio Shkup. Por, edhe prej Radio Tiranës ne kemi marrë, e gjithë muzikën e kemi ruajtur këtu, sepse çdo gjë është shkatërruar. Radio Shkupi ka një fond më të madh të muzikës edhe para Radio Tiranës edhe para Radio Prishtinës, por gjithë ajo është ruajtur, e kemi arkivin shumë të pasur”,- deklaroi kryeredaktori i Radio Shkupit, Haki Mustafa.
Fazën e dytë të rilindjes, programi në gjuhën shqipe e përjetoi pas vitit 2001, ku ky program fitoi pavarësinë e plotë dhe zgjerim në 17 orë programacion dhe me punësime të reja.
Kjo ditëlindje e 74 e gjen Radio Shkupin para sfidës së re, kthimin në program që transmeton 24 orë programacion në gjuhën shqipe.
“Ajo ndarja kohore që e kishim tri herë në ditë na i hupte dëgjuesit dhe asnjë njeri i cili e sheh se duhet të shkyçet në orën 10 e gjysmë e të kalojë përsëri në orën tre e gjysmë pasdite nuk e mban vijën e dëgjueshmërisë. Kështu që kaluam këtë falë mbështetjes së madhe të faktorit politik shqiptar dhe falë kërkesës së kamotshme të programit në gjuhën shqipe. Tani është një gjë shumë e rëndësishme se si do të funksionojmë. Topi hedhet tani te gazetarët, te ekipi krijues që është, ta menaxhojnë se si duket një program, por edhe si krijohet”,- tha drejtoresha e Radios së Maqedonisë, Ajtene Vllasaku.
“Redaksia që është për dokumentare, nuk kemi aty gazetarë, kanë shkuar në pension. Kemi mungesë edhe në disa segmente tjera. Ku janë vendet e lira që janë më pikante, që patjetër duhet të plotësohen, do të hapet konkurs për ato vende pune dhe do të plotësohen”,- theksoi kryeredaktori i Radio Shkupit, Haki Mustafa.
Radio Shkupi për çdo ditë përcjell në eterin radiofonik emisione për fëmijë e të rritur, emisione nga kultura, ekonomia, dokumentarë, reportazhe, shëndetësia, arsimi, emisione zbavitëse, fetare dhe sportive, pa anashkaluar emisionet muzikore që janë ruajtur me një fanatizëm dhe origjinalitet të plotë me të gjitha arkaizmat e tyre.
Në vitet e fundit, emisioni “Pa kufij” është kthyer në trekëndëshin radiofonik për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve, në bashkëpunim me Radio Tiranën dhe Radio Kosovën.
TVM2 i uron gëzuar Radio Shkupit këtë përvjetor të rëndësishëm, me shpresën që bashkërisht të arrijmë të rikthejmë rolin dominant që Servisi Publik ka pasur dhe duhet ta ketë në eterin mediatik të Maqedonisë.
ERSAN PAJAZITI
