Maqedoni

MPPS i merr kompetencat për kopshtin, Dimitrievski: vendimi është tendencioz

28.01.2019 17:43

Pas marrjes së ingerencave për drejtim me Kopshtin për fëmijë “Angell Shajçe” në Kumanovë...

Pas marrjes së ingerencave për drejtim me Kopshtin për fëmijë “Angell Shajçe” në Kumanovë, ndaj këtij vendimi të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, përmes një konference për gazetarë, ka reaguar kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
“Si kryetar i Kumanovës, mendoj se ky vendim është i papërmbajtur, tendencioz, selektiv dhe i njëjti ka për qëllim që drejtpërsëdrejti ta involvojë  Ministrinë në zgjedhje kadrovike  të drejtorit në këtë ent publik komunal. Ky është një vendim i gabuar i ministres, e cila duhet të përkujdeset  për politikën dhe punën sociale në Komunën e Kumanovës  dhe t’i zgjidh problemet sociale, të cilat janë të shumta tek qytetarët e Kumanovës”,- theksoi kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale ndaj konferencës për gazetarë të kreut të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
Në reagim ndër të tjera thuhet:
“Ky vendim është sjellë pasi që gjatë kontrollit të punës janë konstatuar  mangësi  në zbatimin e procedurës  për shpalljen e konkursit për pranimin e drejtorit të kopshteve për fëmijë. Kryetarit të Kumanovës i është tërhequr vërejtja me afat të caktuar për largimin e mangësive. Pasi që kryetari nuk ka vepruar sipas rekomandimeve, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale i ka marrë të gjitha ingerencat për drejtim me Kopshtin e fëmijëve në periudhë prej 1 viti”,- thuhet në reagimin e MPPS.
 
Ndryshe, edhe ministrja, Milla Carevska, edhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, janë kuadro të LSDM.
 
FATLUM AQIFI