Maqedoni
Problemet në Veles dhe Çashkë, Ademi: Nga 1 shtatori u jepen fund këtyre problemeve
28.01.2019 17:51
Të gjithë nxënësit janë të barabartë dhe meritojnë trajtim të njëjtë, deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi....

Të gjithë nxënësit janë të barabartë dhe meritojnë trajtim të njëjtë, deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi, pas takimit që zhvilloi me kryetarët e komunave të Velesit dhe të Çashkës lidhur me problemin që disa vite përballen fëmijët e këtyre zonave për mosndjekjen e mësimit në gjuhën amtare. Ademi theksoi se është paraparë ndërtimi i shkollave të reja në fshatin Kllukovec dhe Banjic, ndërsa ndërtim të klasave shtesë në fshatin Jabollçisht. Nga shtatori i këtij viti Ademi premtoi se do t’i jepet fund këtyre problematikave.
“Ndërtimi i objektit të ri të shkollës në fshatin Kllukovec është paraparë në planin e furnizimeve publike të MASH-it për vitin 2019. Po ashtu në komunën e Çashkës, në fshatin Jabollçisht, për shkak të rritje së popullsisë dhe nevojës reale, do të ndërtohen klasa shtesë brenda Shkollës “Liria”. Edhe pse ne kemi siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për ndërtimin e një shkolle të re moderne në fshatin Banjicë të Çashkës, ne gjithashtu diskutuam edhe për modalitetet tjera",- tha ministri e arsimit, Arbër Ademi.
“Diskutuam bashkë me ministrin dhe dhamë fjalë që për periudhën që vijon, pra nga 1 shtatori, problemi në fshatin Starigrad të zgjidhet dhe shpresoj që edhe për problemet tjera që mund të na paraqiten në të ardhmen, të gjejmë zgjidhje”,- theksoi kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski.
“Velesi është një komunë multietnike në të cilën dominon popullatë etnikisht maqedonase. Kemi disa mjedise ku gjuhë amtare e banorëve është gjuha shqipe dhe për këtë nuk kemi asnjë paragjykim rreth kësaj të drejte, por përkundrazi, ju përkujtoj se kemi shumë fshatra ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe”,- tha kryetari i komunës së Velesit, Ace Kocevski.
Ademi shtoi se për Shkollën “Liri” në Jabollçishtë nga MASh janë aprovuar 15 punësime të reja për nevojat e kësaj shkolle, ndërsa po ashtu theksoi se nga shtatori i vitit të kaluar me kërkesë të banorëve është hapur edhe paralele në gjuhën shqipe në komunën e Krushevës.
ZEKIRIJA MEXHITI
