Vazhdojnë luftimet në Donjeck, 34 të vrarë
Zyrtarët në rajonin lindor Donjeck në Ukrainë, thonë se 34 vetë janë vrarë gjatë luftimeve...

Zyrtarët në rajonin lindor Donjeck në Ukrainë, thonë se 34 vetë janë vrarë gjatë luftimeve të separatistëve pro-rusë kundër forcave qeveritare, gjatë 24 orëve të kaluara.
Ky raport u bë pak kohë pasi zyrtarë ukrainas në Kiev thanë se nëntë ushtarë ishin vrarë në luftimet e ashpra ndërmjet dy palëve për kontrollin e qytetit Ilovajsk.
Mbetet e paqartë se a janë përfshirë këta nëntë ushtarë në të dhënat për personat e vrarë, që janë raportuar nga qeveria rajonale.
Një zyrtar i Ukrainës ka njoftuar në rrjetin “Facebook” se trupat qeveritare e kanë nën kontroll gjysmën e qytetit Ilovajsk, në fqinjësi të qytetit Donjeck, që është baza kryesore e separatistëve pro-rusë.
Por, sipas tij, kryengritësit kanë bërë rezistencë të ashpër gjatë ditës së sotme, pas më tepër se 24 orëve të luftimeve.
Më se 2 mijë njerëz janë vrarë gjatë katër muajve të luftimeve ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve prorusë, në pjesën lindore të këtij vendi.
