Botë

Irak, mbipopullohen kampet e refugjatëve

21.08.2014 14:30

Kampi i refugjatëve në Badjet Kandela, ishte bosh në fund të korrikut...

Sot atje ka mbi 11 mijë irakianë. Kampi i dikurshëm transitor për refugjatët nga Siria, ka shtuar tendat për t’ju dalë në ndihmë nevojave të refugjatëve të rinj.
 
Vetëm dhjetë ditë më parë, kampi kishte gjysmën e madhësisë së sotme.
 
Një mijë tenda kanë “mbirë” vetëm dy javët e fundit atje. Luftimet në Irak, detyruan mijëra njerëz t’i drejtohen kufirit me Kurdistanin.
 
Agjencitë e Ndihmave nga e gjithë bota, punojnë 24 orë për tu ardhur në ndihmë të shpërngulurve. Familjet e shpërngulura nga Sinjari, kanë arritur këtu vetëm me rrobat e trupit. Ekipet e UNHCR-së, janë përgjegjës që atyre të mos u mungojë ushqimi dhe uji. 
 
“Ka nevojë urgjente për familjet që arrijnë këtu. Kemi 612 familje në tenda dhe përpiqemi të kujdesemi sa më mirë për to. I furnizojmë me ujë dhe ushqime”- deklaroi Bahzad Amin nga UNHCR.
 
Familjet këtu tregojnë të njëjtat histori tragjike. Udha deri në kampin e shpëtimit ka qenë e gjatë dhe e lodhshme, ata kanë humbur njerëzit e dashur në Sinjar. 
 
“Ka familje 9 anëtarëshe që kanë kaluar dhjetë ditë në Sinjar pa ujë e pa bukë. Gjithçka kanë lënë në shtëpitë e tyre”- theksoi Amin.
 
UNHCR-ja po ndërton edhe kampe të tjera. Ekipet përpiqen të ndërtojnë shtëpiza më të forta, për t’i hequr familjet nga tendat, pasi duket se qëndrimi i tyre këtu do të jetë i gjatë.
 
MIGENA GORENCA