Anulohet gjykimi për “Titanik 2”, në gjykatë nuk erdhi Bedredin Ibrahimi, në shkurt fjalët përfundimtare,vendimi në mars
Gjykimi për rastin “Titanik 2”, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në vitin 2013....

Gjykimi për rastin “Titanik 2”, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në vitin 2013, u anulua pasi i pandehuri, Bedredin Ibrahimi, nuk erdhi në gjykatë. Siç sqaroi gjykatësi, Ognen Stavrev, ka mundur të ketë ndodhur konfuzion te Ibrahimi për datën e seancës gjyqësore, duke menduar se seanca është caktuar për më 8 shkurt, prandaj ai e anuloi seancën.
Prokurorja Speciale, Fatime Fetai, u shpreh se nuk mund të kërkojë që të arrestohet Ibraimi, pasi që nuk janë plotësuar kushtet për diçka të tillë.
Gjykimi më 8 shkurt vazhdon me prezantimin e ekspertizës ekonomike për dëmin e shkaktuar nga rivotimi dhe më pas do të vazhdojë me fjalët përfundimtare të PSP-së. Në gjykimin më 15 shkurt është paraparë të jepen fjalët përfundimtare të palës mbrojtëse, ndërsa deri në fund të muajit mars pritet të shpallet edhe aktgjykimi për këtë rast.
Në rastin “Titanik 2”, të dyshuar për manipulime zgjedhore në vitin 2013 janë ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, dhe ish-anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev. Sipas aktakuzës së PSP-së, ata janë dakorduar dhe kanë arritur që në mënyrë ligjore të anulojnë votimin në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Strumicë. (Rexhep Qamili, TVM2)
