Maqedoni
Danielson: fokusi në reforma, jo zgjedhje; Zaev: presim vlerësim bazuar në rezultate
29.01.2019 17:18
Drejtori i Drejtorisë për politika fqinjësore dhe zgjerim të BE-së, Kristijan Danielson, gjatë qëndrimit të tij në Shkup...

Drejtori i Drejtorisë për politika fqinjësore dhe zgjerim të BE-së, Kristijan Danielson, gjatë qëndrimit të tij në Shkup porositi aktorët politikë të vendit që të vazhdojnë me momentin pozitiv të krijuar pas mbylljes së kontestit për emrin me Greqinë dhe të fokusohen në zbatimin e reformave të filluara. Sipas tij, shkuarja në zgjedhje eventuale do t’i ngecë ato.
“Fokusi do të duhej të jetë në arritjen e rezultateve. Atje duhet të fokusohen përpjekjet. Ne besojmë se zgjedhjet e parakohshme do të marrin këtë fokus dhe nuk do të mund ta japin energjinë e nevojshme me qëllim që të adresohen çështjet e hapura që kanë mbetur për t’u adresuar”,- tha drejtori i Drejtorisë për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Kristijan Danielson.
Daniellson përsëriti sferat ku vendi duhet të arrijë rezultate e që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në organet sigurisë dhe në administratën publike. Veç miratimit, ai theksoi edhe nevojën zbatimit të tyre. Raporti i qershorit do të varet nga arritja e rezultateve, tha ai.
“Do të bëhet evaulim, vendet anëtare do të marrin qëndrimin e tyre, por e gjithë kjo do të bëhet në bazë të asaj se çfarë është bërë deri më tani dhe çfarë do të arrihet në datën e fundit për raportin tonë dhe kjo është deri në qershor”,- tha drejtori i Drejtorisë për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Kristijan Danielson.
Paraprakisht, Daniellson sot është takuar me kryeministrin, Zoran Zaev, ndërkaq ka realizuar edhe një takim të përbashkët me kabinetin e tij në të cilin kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, ministrin e shoqërisë informatike, Damjan Mançeski, dhe ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Zaev gjatë takimit ka theksuar se për vendin tonë mbështetja e Komisionit Evropian, vendeve anëtare të BE-së, të fqinjëve dhe shumë liderëve tjerë, ka qenë kyçe në hapërimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Prej miqve tanë në BE presim vetëm vlerësim të drejtë dhe të bazuar në rezultate që do të na jep mundësi për sukses, si shtet, shoqëri, por sukses edhe për Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Maqedonia ka bërë përparim të madh për anëtarësim në BE”,- ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.
NAIM RAMADANI
