Maqedoni

Angjushev: Kompania indiane “Malhotra”, investitor i ri

29.01.2019 17:56

Një kompani indiane nga industria e automobilave ka hyrë në tregun e Maqedonisë....

 Kompania “Malhotra” do të jetë investitori i ri në zonën Bunarxhik, i cili në konsorcium me kompaninë japoneze, do të prodhojë kabllo për automobila. Zëvendëskryeministri Angjushev njoftoi se qeveria do të vendosë për ndarjen e tokës për investitorin në fjalë. 
 
“Përkundër kushteve të rënda të dimrit për ndërtim, ndërtimi nuk ndalet. Në këtë zonë do të investohen në mënyrë praktike 12 investime të reja dhe 5 investime shtesë në pjesët tjera të Maqedonisë. Investimi i përgjithshëm është 155 milionë euro, vetëm në investime të reja. Deri tani, në fazën e parë do të këtë rreth 1,100 punësime, në përfundimin e ndërtimit numri i përgjithshëm i të punësuarve duhet të jetë rreth 4,300 punonjës”,- tha zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike, Koço Angjushev.
 
Përveç kësaj faze të ndërtimit, ka ende disa kompani dhe disa investitorë kanë njoftuar se do të zgjerojnë kapacitetet e tyre. Faza e dytë e kompanisë italiane “Dija Stream” është duke u zhvilluar, kurse kompania shqiptare “Sagen” do të zgjerohet. Sipas të dhënave më të fundit, eksporti nga zonat e Drejtorisë së Zonave Teknologjike të Zhvillimit Industrial arrin në 2 miliard e 427 milionë euro, ndërsa importi është 3 miliardë e 80 milionë euro.
 
SEDAT SELIMI