Maqedoni

Skandali në Fondin Pensional, fillon pagesa e kontributeve për 11,319 persona

29.01.2019 18:24

Shteti ka filluar tua paguaj kontributet 11.319 personave të cilëve pak ditë më parë u zbulua se me vite nuk iu ishte bërë pagesa me kohë e kontributeve nga shtylla e dytë....

Këtë e bëri të ditur sot ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska, pas takimit që zhvilloi me drejtorin e Fondit Pensinonal dhe ekspertë të Agjencisë së mbikëqyrjes MAPAS. Ministrja Carovska theksoi se pagesa e parë në të cilën janë përfshirë 4926  të siguruar, duhet të mbarojë deri në përfundimin e muajit, ndërsa pagesa për të dëmtuarit tjerë do të kryhet në muajt në vijim.
 
“Nuk vlerësoj se është vetëm problem teknik, por është një problem thelbësor, sepse bëhet fjalë për 12 mijë qytetarë të vendit tonë dhe kjo është një çështje thelbësore, e cila duhet të rishikohet, analizohet, prezantohet dhe të zgjidhet shumë më herët. Por, mos të harrojmë se sistemi pensional nuk është analizuar nga fillimi i reformave të atëhershme të vitit 2006”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carvoska.
 
Por, ndryshe nga ministrja Carovska, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, e ka kundërshtuar deklaratën e ministres, duke theksuar se nuk do të thotë se ndonjë nga zyrtarët i kanë vjedhur 19 milionë euro, por bëhet fjalë për pengesa administrative.
 
“Fillimisht do të flas lidhur me jehonë që iu dha mbrëmë të ashtuquajturave keqpërdorime të mjeteve nga ana e Fondit Pensional, më saktësisht keqpërdorimin e 19 milion eurove. Unë këtu e kam patjetër të them se mbrëmë ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska, kishte një deklaratë të pafat e cila hapi mundësi për spekulime spektakolare lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Fondin Pensional për gjoja keqpërdorim të mjeteve dhe kur mbrëmë edhe me ministrin por edhe me vetë Fondin kontrolluam dhe vërtetuam se nuk bëhet fjalë për keqpërdorim të as edhe 1 denari nga mjetet e pensionistëve dhe nga vetë Fondi Pensional, por u konfirmua se ka paqartësi si rrjedhojë e disa pengesave administrative dhe si rezultat i qeverisë së mëparshme që të ulen shpenzimet e kontributeve e nga kjo të nënkuptohet se ato para nuk i janë dërguar shtyllës së dytë pensionale”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Edhe drejtori i Fondit Pensional, Shaip Zeneli, theksoi se nuk ka nevojë për shqetësim, sepse paratë nuk kanë humbur, por si pasojë e mosfunksionimit të sistemit ata kanë mbetur të pashpërndara.
 
“Së pari e them se nuk ka vend për shqetësim, askush nuk është i dëmtuar. Të gjitha mjetet në kontribut të pashpërndarë do t’u paguhet të gjithë personave të siguruar të cilët duhet të jenë anëtarë të shtyllës së dytë. Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante në vend dhe e gjithë kjo të pastrohet. Dhe normal në fund nëse nuk ka ndonjë përgjegjësi, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të gjithë këtë amulli që është bërë në opinion”,- u shpreh drejtori i Fondit Pensional, Shaip Zeneli.
 
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale gjatë ditës së djeshme dorëzoi padi penale në Prokurorinë Publike kundër kryerësve të panjohur për mospagesë të kontributeve ndaj të punësuarve. Në akuzë ishin të përfshira edhe dokumentacionet e analizës së plotë të sistemit të pensioneve.
 
ZEKIRIJA MEXHITI