Botë

ShBA, sanksione kompanisë së naftës në Venezuelë. Moska, kritika Uashingtonit, mbështetje Maduros

29.01.2019 19:19

Shtetet e Bashkuara i vunë sanksione kompanisë shtetërore të naftës në Venezuelë, PDVSA, dhe i bënë thirrje ushtrisë së këtij vendi që të pranojë transferimin paqësor të pushtetit.....

Këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton, tha se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe aleatët e tij “nuk mund të plaçkitin më pasuritë e popullit të Venezuelës”. Përpjekjet e opozitës për të rrëzuar Maduron janë rritur ditëve të fundit. Shtetet e Bashkuara dhe mbi 20 vende të tjera e kanë njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm. Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se blerjet e naftës së Venezuelës nga Qeveria e Maduoros do të pezullohen, por shtoi se kompania mund t’i shmangë sanksionet nëse e njeh Guaidon. 
 
Por Zyrtarët rusë kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për trazirat në Venezuelë, duke u zotuar se Moska do të mbështetë presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro.  Por Rusia kritikoi ashpër Uashingtonin për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanisë së naftës në Venezuelë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov akuzoi Uashingtonin “se ka vendosur në mënyrë publike standardin për ndryshimin e paligjshëm të regjimeve” duke njohur Guaidon si presidenti i përkohshëm.
 
“Bashkë me anëtarët tjerë të përgjegjshëm të komunitetit ndërkombëtar, ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Qeverinë legjitime të presidentit Maduro”,- ka thënë Lavrov. Ndërkohë zëdhënësi i presidentit, Vladimir Putin, nuk pranoi të komentojë kur u pyet nëse Rusia do të dërgonte ndihmë ushtarake nëse ushtria amerikane ndërhyn në krizën në Venezuelë.